Kryeministri Berisha takon Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zotin Jonathan Stonestreet

Kryeministri Berisha priti sot në takim Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zotin Jonathan Stonestreet dhe delegacionin që e shoqëronte.
Zoti Sonestreet falenderoi kryeministrin Berisha për ftesën e qeverisë shqiptare drejtuar ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Ai theksoi se misioni do të vëzhgojë zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standartet e OSBE-së dhe legjislacionin vendas.
Zoti Sonestreet informoi kryeministrin se së shpejti pritet që të mbërrijnë vëzhguesit afatgjatë ndërkohë që ODIHR pret që shtetet antare të OSBE-së të dërgojnë rreth 400 vëzhgues afatshkurtër.
Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen Misionit të ODIHR-it e siguroi kreun e këtij Misioni se do të kenë të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin e nevojshm nga qeveria shqiptare në përmbushjen me sukses të misionit të tyre. Kryeministri e konsideroi të një rëndësie të jashtëzakonshme rolin e vëzhguesëve ndërkombëtarë por dhe të atyre vendas në garantimin e transparencës si një kusht themelor për përmbushjen e standarteve të procesit zgjedhor.
Kryeministri Berisha theksoi se për qeverinë shqiptare cilësia e procesit ka rëndësi maksimale duke qenë se garanton të drejta themelore të zgjedhësve dhe përbën një kolonë të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit. Ai e njohu Misionin me reformat e ndërmarra për modernizimin e infrastrukturës zgjedhore veçanërisht në arritjen e një saktësie shumë të lartë të listave të zgjedhësve. Duke shprehur keqardhjen për mungesën e vullnetit të opozitës për të trajtuar në kohë rekomandimet e raportit të vitit 2009, kryeministri rikonfirmoi gadishmërinë e mazhorancës për një reformë zgjedhore konsensuale pas përfundimit të zgjedhjeve.
Në lidhje me tryezën e partive politike, kryeministri theksoi se marrëveshja e firmosur nga disa prej partive parlamentare i angazhon ato në zbatimin e detyrimeve ligjore në procesin e administrimit zgjedhor dhe fushatës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it drejtuar partive politike.
Zoti Stonestreet ndau të njëjtin mendim me kryeministrin në lidhje me rëndësinë e rekomandimit të parë të raportit 2009 ku theksohet rëndësia e zbatimit të ligjit nga partitë politike dhe shmangia e politizimit të procesit të administrimit.
Në takim u bisedua për cështje të procesit të pregatitjes së zgjedhjeve ku u nënvizua që fushata e partive të mazhorancës do të jetë pozitive dhe e përqëndruar tek qytetari.
01/04/2011