Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e godinës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm pasditen e sotme në përurimin e godinës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në Tiranë. Kjo godinë jo vetëm që krijon komoditet dhe lehtësi për punonjësit, por ka një infrastrukturë teknologjie informacioni të zhvilluar që mbështet Qendrën Kombëtare të të Dhënave të Sigurimeve, si dhe mundëson një sistem raportimi elektronik nga e gjithë Shqipëria.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga kryetarja e këtij autoriteti, anëtarët e bordit dhe punonjësit e tij. Kryeministri u shpreh se qeveria ka besim dhe është e vendosur të mbështesë veprimtarinë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Më tej, Kryeministri nënvizoi se “hapa të tjerë të rëndësishëm do të ndërmerren në reformën e pensioneve, reformë që zgjeron edhe më shumë dhe bën gjithnjë e më të domosdoshme veprimtarinë drejtuese të Autoritetit Mbikëqyrës të tregjeve Financiare jobankare”.
Në përfundim të ceremonisë ministri i Punëve Publike dhe Transporteve z. Sokol Olldashi, zv/ministri i Brendshëm z. Avenir Peka dhe kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare znj. Elisabeta Semini nënshkruan marrëveshjen “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Financave z. Ridvan Bode, ambasadorë të akredituar në Tiranë, etj.
Më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zotërinj ministra,
Zonja kryetare e Autoritetit të Mbikqyerjes së tregut Financiar jobankar të vendit,
Të dashur anëtare dhe anëtar të Bordit të AMF-së,
Zotërinj ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,
Në këtë 5 vjetor, të cilin ne e kremtojmë me inaugurimin e një ndërtese të re për Autoritetin Mbikëqyrës të tregjeve financiare jobankare të vendit, dua të përgëzoj kryetaren e AMF-së, anëtarët e bordit dhe punonjësit e tij për punën e madhe që kanë bërë.
Në 5 vite tregu financiar jobankar ka njohur dimensione të reja. Para së gjithash dhe mbi të gjitha ka njohur hapësira më të gjera lirie, zgjerim të ndjeshëm në një terren jo të lehtë. Duhet të pranojmë se rëndom në rrugën dhe në përpjekjen tonë ndeshemi me trashëgiminë, e cila edhe në këtë sektor përbën një lloj pengese. Indiferenca e shqiptarit ndaj rrezikut është një tipar që e ka shoqëruar në historinë e tij. Kjo indiferencë vjen duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë në kushtet e lirisë, të qytetarit të lirë. Ndaj dhe tregu i sigurimeve, një treg jashtëzakonisht i ndjeshëm, një treg që lidhet para së gjithash me besimin, po zhvillohet intensivisht.
Në këto 5 vite produktet, institucionet, janë shumëfishuar. Interesi është shumëfishuar. Kontrolli është bërë më serioz, më i ndershëm se kurrë më parë. Ndihma, më eficente se ndonjëherë. Unë dua t’ju përgëzoj ju, zonja kryetare, për kontributin e madh që dhatë në këtë fushë, që i shtohet kontributit tuaj të çmuar në reformat e mëdha dhe të rëndësishme që vendi u angazhua pas fitores së forcave demokratike në vitin ‘92. Faktikisht e nis këtë veprimtari me një ligj të ri, me një ekip të ri, por sot ia keni dalë, së bashku me bashkëpunëtorët tuaj, të ndërtoni një institucion të besueshëm, të konsoliduar, të përgjegjshëm dhe të vendosur për të zgjeruar këto tregje, si tregje jetike për një ekonomi të lirë tregu dhe për një shoqëri të lirë.
Qeveria është e vendosur të mbështesë këtë veprimtari. Qeveria sheh me besim të madh veprimtarinë e këtij autoriteti. Sikundër, hapa të tjerë të rëndësishëm do të ndërmerren në reformën e pensioneve, reformë kjo që zgjeron edhe më shumë dhe bën gjithnjë e më të domosdoshme veprimtarinë drejtuese të Autoritetit Mbikëqyrës të tregjeve Financiare jobankare.
Ndaj, më mbetet t’ju uroj suksese dhe të shpreh besimin tim të madh se do të përmbushni me dinjitet dhe me përgjegjësi detyrat e mëdha në mbikëqyrjen e këtyre tregjeve, të cilat faktohen në zhvillimet e fundit financiare në Europë dhe në botë si tregje që kërkojnë një mbikëqyrje kompetente, serioze, konstante, si tregje që duhet të funksionojnë mbi standarde solide, mbi norma etike dhe morale të shëndosha.
Ju uroj suksese dhe ju përgëzoj për të gjitha arritjet e mëdha!”.
31/03/2011