Kryeministri Berisha takon zëvendës asistent sekretarin e shtetit zotin Thomas Countryman
Kryeministri Berisha priti sot në takim zëvendës asistent sekretarin e shtetit zotin Thomas Countryman.
Në takim kryeministri Berisha e falenderoi zotin Countryman për kontributin dhe ndihmën e madhe që SHBA-të po i japin Shqipërisë në të gjitha drejtimet.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Countryman me pregatitjet që po bëhen në vend në mënyrë që procesi zgjedhor i 8 Majit të arrijë standartet më të larta ndërkombëtare dhe I rikonfirmoi atij angazhimin e plotë dhe të palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen e tyre. Kryeministri theksoi se pavarsisht tentativës së zotit Rama për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, falë kornizës ligjore konsensuale dhe bashkëpunit të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, procesi i pregatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë.
Kryeministri e siguroi zotin Countryman se procesi zgjedhor i 8 Majit do të njohë standartet më të larta të transparencës, duke falenderuar për këtë edhe angazhimin e OSBE – ODIHR-it si dhe mbështetjen financiare që SHBA-të po i japin vëzhguesve vëndas si dhe se mazhoranca është e angazhuar për një fushatë pozitive të fokusuar te interesat e qytetarit dhe të komuniteteve.
Kryeministri Berisha e njohu zëvendës asistent sekretarin e shtetit Countryman me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare, e thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha nënvizoi se marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm.
Kryeministri e njohu zotin Countryman edhe me arritjet e jashtëzakonshme në saktësinë e listave të zgjedhësve, si rrjedhojë e modernizimit të bërë nga qeveria me asistencë të OSBE-së të sistemit të gjendjes civile si dhe e siguroi atë se marrëveshja e nënshkruar nga disa partiti parlamentare i garanton çdo subjekti zgjedhor transparencë të plotë të hartimit të këtyre listave.
Gjithashtu kryeministri Berisha nënvizoi se pavarsisht procesit zgjedhor, qeveria nuk e ka ulur për asnjë moment intensitetin e punës në drejtim të integrimit në BE dhe plotësimit të 12 prioriteteve të vëna. Në këtë kuadër kryeministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm organizimin me sukses të Seminarit të përbashkët me Komisionin Evropian ku mori pjesë dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së zoti Stefan Fule. Ai e siguroi zotin Countryman se mazhoranca është e gatshme që për të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe miratimin e Avokatit të Popullit t’ia japë inisiativën opozitës me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve.
Zoti Countryman vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë në dy muajt e fundit duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive.
Zëvendës sekretari i shtetit Countryman ndërsa vlerësoi pregatitjet që po bën KQZ dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standarteve më të mira por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën paszgjedhore.
01/04/2011