Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Polonisë, Lech Kaczynsky, në aksidentin tragjik ajror
Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeministrit të Polonisë, zotit Donald Tusk ku shpreh ngushëllimet e tij për humbjen e jetës së Presidentit të Polonisë, zotit Lech Kaczynsky në aksidentin tragjik ajror.
Në këtë telegram shkruhet:
I nderuar zoti Kryeministër,
Vdekja tragjike e Presidentit Lech Kaczynsky, bashkëshortes së tij, drejtuesve të lartë e zyrtarëve të tjerë të elitës politike dhe ushtarake të shtetit polak në tragjedinë ajrore, është një lajm shokues jo vetëm për popullin mik polak, por edhe për çdo shqiptar dhe për të gjithë miqtë e Polonisë në botë.
Me vdekjen e Presidentit Lech Kaczynsky, Polonia mike humbi polakun e madh, një nga personalitetet e saj më të shquara dhe të respektuara në vend dhe në botë, por edhe Bashkimi Evropian humbi një nga liderët më të rëndësishëm të vendeve antare.
Në këtë aksident tragjik parlamenti polak humbi ligjvënësit e tij të përkushtuar, presidenca dhe qeveria polake zyrtarët e tyre të lartë, ushtria polake dhe bota akademike elitën e tyre më të mirë.
Duke ndarë me ju dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për këtë humbje të madhe të kombit tuaj, vdekjen e Presidentit Kaczynsky, bashkëshortes së tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë të vendit tuaj, ju shpreh Ju dhe Qeverisë suaj, familjarëve të të ndjerit President dhe të viktimave të tjera, ngushëllimet më të thella dhe ndjenjat e simpatisë dhe solidaritetit më të madh të miat dhe të Qeverisë Shqiptare.
Ne lutemi bashkë me ju që shpirtrat e Pesidentit Kaczynsky, bashkëshortes së tij dhe të gjithë atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik, të gjejnë paqen e merituar.
Me sigurimet e konsideratës time më të lartë
Juaji
Sali Berisha
10/04/2010