Kryeministri Berisha dhe ish Kryeministri i Majlazisë, Dr.Mahathir Mohamad vizitojnë qytetin e Krujës
Kryeministri Berisha ishte sot në një vizitë në qytetin e Krujës së bashku me ish Kryeministrin e Malajzisë, Dr.Mahathir Mohamad dhe bashkeshortet e tyre, për të kaluar këtë të djelë së bashku me ta në qytetin historik të Krujës dhe për të parë disa nga vendet turistike më të bukura të këtij qyteti.
Kështu menjëherë pas mbërritjes në Krujë, Kryeministri Berisha dhe Dr. Mohamad vizituan Muzeun Historik të Heroit Kombëtar, Gjegj Kastriot Skënderbeut duke u drejtuar më pas në Muzeun Kombëtar Etnografik i cili ndodhet në këtë qytet.
Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha zhvilloi dhe një shëtitje në Pazarin e Vjetër të qytetit të Krujës dhe në dyqanet karakteristike të këtij pazari, ku pati rastin të takohet me shumë tregëtarë të prodhimeve artizanale të mjeshtrave krutanë.
Kryeministri Berisha u interesua nga afër për punën dhe për nevojat e tyre në drejtim të përmirësimit të aktivitetit të tyre, si dhe ndihmën që mund të jepte qeveria dhe pushteti vendor i qytetit, si në lidhje me infrastrukturën e zonës së vjetër, të ndriçimit të zonës së pazarit etj.
Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha kërkoi nga përfaqësuesit e pushtetit vendor që t’i përgjigjeshin kërkesave të qytetarëve krutanë me sa më efikasitet dhe shpejtësi, në mënyrë që vera që po vjen të shënojë një numër edhe më të madh me turistë, krahasuar me verën e shkuar.
11/04/2010