E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.

8 prill 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, zotin Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Pasi u uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi të përzemërt e miqësor, Presidenti Topi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të pasqyruar në këmbimet e vizitave të të gjitha rangjeve. Me këtë rast, Kreu i shtetit u dërgoi përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore Presidentit, Fatmir Sejdiu, Kryeministrit dhe të gjithë autoriteteve më të larta të Kosovës.

Duke shprehur vullnetin për rritjen e nivelit të marrëdhënieve të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat deri tani kanë vijuar të zhvillohen me sukses, Presidenti Topi vlerësoi ecurinë normale të zgjedhjeve lokale në Kosovë, si të parat pas dy viteve të shpalljes së pavarësisë, të organizuara nga vetë institucionet e Kosovës, të cilat konfirmuan pjekurinë dhe vizionin largpamës të udhëheqjes politike dhe tërë shoqërisë kosovare. Në këtë drejtim, Kryetari i shtetit inkurajoi frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim që është evidentuar në marrëdhëniet me pakicat, sidomos me serbët e Kosovës për ndërtimin dhe funksionimin sa më të mirë të një shteti demokratik dhe multietnik me institucione të konsoliduara.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e dy vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, të cilat përbëjnë një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. “Aktualisht ato janë futur në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të tyre dhe kanë një dinamikë të ngjeshur, sidomos përsa i përket përmbushjes së objektivit për liberalizimin e regjimit të vizave, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare-ekonomike.” – theksoi Presidenti Topi.

Gjithashtu, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e frutshëm të deritanishëm, si në fushën ekonomike, të arsimit, shëndetësisë, kulturës, etj, Presidenti Topi nënvizoi vullnetin për rritjen e këmbimeve tregtare midis dy vendeve që do të kenë mundësi më të mëdha pasi të përfundohet plotësisht dhe rruga nga Durrësi në Morinë dhe më pas deri në Prishtinë.

Gjithashtu, Presidenti Topi, duke e vënë theksin tek fakti që “Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme”, e siguroi Kreun e Kuvendit të Kosovës se Shqipëria ka mbështetur fuqishëm dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën politikisht në arenën ndërkombëtare që më shumë vende ta njohin atë, por dhe në forcimin e rritjen e institucioneve të saj, si objektiv thelbësor për konsolidimin e Kosovës si vend i pavarur.

Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi duke falenderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e miqësore, vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të të gjitha institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të pavarësisë, por njëkohësisht vërejti se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të shtetit të ri dhe njohjes në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, z. Krasniqi garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›