Kryeministri Berisha shtron një darkë për nder të pjesëmarrësve në konferencën “Roli i ardhshëm i NATO-s dhe BE-së në Europën Juglindore”

Kryeministri Berisha shtroi sonte në mbrëmje një darkë, në mjediset e Pallatit të Brigadave, për nder të pjesëmarrësve në konferencën me temë “Roli i ardhshëm i NATO-s dhe BE-së në Europën Juglindore, (zgjerimi i BE dhe sfidat transatlantike).”, e cila do të zhvillohet në Durrës, në datat 5 deri në 8 shtator.
Në konferencën e organizuar nga Instituti ASPEN/Gjermani dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të marrin pjesë z. Philip T. Reeker, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë; z. Nikolaus Graf Lambsdorff, Ambasador/ i Dërguar Special i Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s si dhe zyrtarë nga NATO, BE, ambasadorë, përfaqësues të lartë nga Europa Juglindore të institucioneve zyrtare, deputetë shqiptarë etj.
Instituti ASPEN është një organizatë që merret me studime politike dhe edukative me seli në Uashington DC. Misioni i tij është të nxisë njerëzit me aftësi udhëheqëse bazuar në vlera të qëndrueshme dhe të sigurojë ambjente të përshtatshme për adresimin e çështjeve kritike.
Duke përshëndetur të ftuarit, kryeministri Berisha falenderoi organizatorët për përzgjedhjen e Shqipërisë për zhvillimin e kësaj Konference të rëndësishme për sigurinë në rajon dhe rolin e NATO-s.
Kryeministri u shpreh se ky vit ka një domethënie të madhe për Shqipërinë dhe të gjtihë shqiptarët, pasi ai shënon 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Kryeministri tha se Shqipëria ka ecur përmes një historie të vështirë mbijetese si komb për të mbërritur deri në formimin e saj si shtet, kur shumë pak e besonin këtë. Në këtë kontekst, kryeministri bëri një historik të shkurtër të përpjekjeve për liri e pavarësi, të kombit shqiptar, duke vijuar deri në ditët e sotme.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se dita më e shënuar pas shpalljes së pavarësisë, për Shqipërinë është ajo e anëtarësimit të vendit në NATO.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria ka patur nga Aleanca e NATO-s nga vendet anëtare të saj si dhe ushtritë e tyre, në përpjekjen e saj për tiu bashkuar kësaj Aleance, duke vlerësuar në mënyrë të vecantë rolin themelor të SHBA-ve në këtë drejtim.
Kryeministri theksoi se Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë përpjekje të mëdha për të përballuar me sukses të gjitha kërkesat, misionet dhe detyrat e NATO-s.
05/09/2012