Kryeministri Berisha: Po punojmë me durim, me këmbënguljen për ta kthyer Shqipërinë në një vend plotësisht dixhital

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në Forumin rajonal për Evropën mbi internetin me brez të gjerë (Broadband), që po zhvillon punimet në Tiranë, me fokus: Broadband-i një shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe social. Ky aktivitet organizohet nga Ministria për Inovacionin dhe TIK, në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU).
Të pranishëm në këtë Forum ishin Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo, Sekretari i Përgjithshëm i ITU-së, z. Hamadoun Touré, Drejtori i Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU-së, z. Brahima Sanou, ministra të kësaj fushe të vendeve të rajonit, si dhe drejtues të autoriteteve rregullatore, apo menaxherë të telekomunikacionit dhe TIK të vendeve të rajonit dhe të Evropës.
Ky forum rajonal është një mundësi për një dialog të nivelit të lartë mes palëve të interesuara rreth strategjive dhe politikave për zhvillimin e Broadband-it në rajon, si dhe një rast për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e ofruara nëpërmjet rrjeteve me shpejtësi të lartë dhe ofrimit të shërbimeve elektronike me anë të infrastrukturës moderne, duke përfshirë, të mësuarit elektronik (e-learning), e-Qeverisjen, e-Shëndetësinë etj. Forumi gjithashtu do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi sfidat e mundshme të adresuara në nivel rajonal, të cilat mund të përpunohen më tej në kuadrin e përgatitjeve për Konferencën Botërore të Zhvillimit të Telekomunikacionit (WTDC-14).
Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij, theksoi se ëndrra për Shqipërinë dixhitale tashmë është një realitet i prekshëm në vend dhe siguroi se qeveria që ai drejton do të vazhdojë t’i qëndrojë fuqishëm synimit të saj për të krijuar të gjitha kushtet e infrastrukturës dixhitale në çdo cep të vendit. Duke sjellë në vëmendje hapat e mëdha që janë bërë në drejtim të informatizimit të shumë shërbimeve në vend, Kryeministri përmendi One Stop Shop për bizneset, për licencat, e-taksa, e-dogana, ndërtimin e sistemit të gjurmimit të dokumenteve brenda administratës, etj. Ai siguroi se po punohet për ndërtimin e një sporteli të vetëm për të gjitha shërbimet për qytetarët shqiptarë, si dhe për dixhitalizimin e plotë të shumë fushave të tjera si, dixhitalizimi i shërbimit shëndetësor, i sektorit bujqësor, etj.
“Këtë vit ne do të sigurojmë internet falas në 1200 zyra në të gjithë vendin dhe nuk duhet të ketë pengesa në përdorimin e tij për shkak të tarifave. 125 projekte po vazhdojnë në të gjitha fushat”, u shpreh Kryeministri Berisha duke shprehur besimin se nuk ka forcë më të shpejtë shtytëse për zhvillimin sesa ICT, prandaj qeveria po punon me durim e me këmbëngulje për ta kthyer vendin në një vend plotësisht dixhital.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zoti Sekretar i Përgjithshëm i ITU-së z.Toure,
Zoti Pollo,
Të dashur përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve mike,
Së pari, dua të falënderoj zotin Sekretar të Përgjithshëm të ITU-së dhe të gjithë ju që zgjodhët Shqipërinë për të mbajtur këtë konferencë shumë të rëndësishme mbi internetin, me brez të gjerë. Ky është një rast i veçantë për mua dhe vendin tim, që feston këtë vit 100 vjetorin e ditës së pavarësisë. E feston pasi ka kaluar një shekull me vështirësi të mëdha, por gjithashtu, pasi ka përmbushur shumë ambicie, ëndrra dhe arritje të suksesshme.
Jam shumë mirënjohës ndaj jush, zoti Sekretar i Përgjithshëm, për ndihmën, mbështetjen dhe inkurajimin tuaj të çmuar, të dhënë vendit tim, në përpjekjet e tij për të përmirësuar, zhvilluar telekomunikacionin dhe çështjet dixhitale, në rrugët më të mira dhe më të shpejta. Jam mirënjohës ndaj UNDP, USAID dhe të gjithë atyre që kontribuuan dhe ndihmuan vendin tim për të realizuar ambicien e tij. Jam shumë mirënjohës ndaj zotit Pollo, zotit Pirro Xhixha, AKSHI-t, gjithë njerëzve, një komunitet i vogël por që ka luajtur një rol shumë vendimtar në këtë fushë, gjatë këtyre viteve. Sidomos, një falënderim i madh shkon për sektorin privat, i cili u shndërrua në një promtor të madh në realizimin e ndoshta një prej ëndrrave të mia më të mira: Shqipëria dixhitale.
Ëndrra ima për Shqipërinë dixhitale vjen nga rinia ime. Prej rinisë sime kam pasur një rast personal që më bindi se asgjë nuk mund ta ndryshojë më shumë jetën se sa kompjuteri. Në atë kohë nuk kishte ende internet. Në vitet ‘80 u ktheva nga Parisi, atje punova në një laborator shumë dinamik. Kryeqyteti francez nuk kishte kompjutera personal në atë kohë, të gjithë ishin kompjutera të mëdhenj. Me t’u kthyer në Shqipëri, pashë se Apple kishte nxjerr produktin e tij, Apple 2. Nëpërmjet një tregtari britanik arritëm të blinim një të tillë, por pa program. Në laboratorin tim, një djalë i ri, shumë i përkushtuar ndaj matematikës, filloi ta programonte. Kështu, në disa muaj, duke punuar në Fortran apo Pascal, ai arriti të programojë programin më të madh të kohës për të gjithë indekset hard. Kompjuteri ynë në atë kohë ishte si një lloj fantazme për administratën. Ministri im më tha për çfarë duhet këtu. I sqarova zotit ministër se për çfarë më duhej. Por ai më tha se ky është një produkt amerikan dhe unë e pyeta se çfarë kuptimi ka? Ai m’u përgjigj se ndalohet nga ligji. I thashë se nuk ndalohet nga ligji shqiptar, e ai sërish m’u përgjigj; është më keq. Megjithatë, ky kompjuter e lejoi skuadrën time që të përfundonte disa punë vendimtare, të cilat, pa kompjuterin, do të na duheshin ndoshta 8 deri në 10 vjet punë për t’i përfunduar.
Kështu i qëndrova idesë se kompjuterët ndryshojnë jetën, më shumë se çdo gjë tjetër.
Kur u ktheva në pushtet, në vitin 2005, vazhdova përpjekjet e mia për Shqipërinë dixhitale. Në atë kohë vendi im kishte një prej indekseve më të ulët në botë për sa i përket penetrimit të ICT, ishte 4.8%, dhe penetrimi i telefonisë celulare ishte 38%. Falë përpjekjeve të mëdha, angazhimit të njerëzve dhe miqve të shqiptarëve, tashmë Shqipëria është një vend krejtësisht ndryshe. Vitin e kaluar qëndronte në vendin e dytë për Indeksin e Gatishmërisë së Rrjetit në botë. Ka kthyer shumë shërbime në shërbime elektronike dhe Shqipëria dixhitale çdo ditë, javë e muaj bëhet më e vërtetë. Ky është një horizont që shkëlqen shpejtë dhe po nuk vrapove pas tij, zhduket. Prandaj po punojmë fortë për internetin me brez të gjerë. Ne preferojmë ofrimin privat të shërbimit, por gjithashtu do të bëjmë më të mirën, që ta shtrijmë në çdo kënd të vendit. Vendi im nuk është i thjeshtë, terreni i tij është i vështirë, por është pa dyshim një nga vendet më të bukura që ekziston dhe më pëlqen që njerëzit, kudo që janë, të kenë pothuajse të njëjtat kushte jetese, për sa i përket infrastrukturës bazike dhe dixhitale.
Fusha e internetit po zhvillohet shpejt dhe kemi arritur që gjatë këtyre viteve të dixhitalizojmë plotësisht shumë shërbime. Së pari jemi fokusuar tek bizneset. Kur vizitova Estoninë para disa viteve, zbulova se reformat tona ishin më të favorshme për biznesin se sa reformat e tyre, por ato siguronin mbështetje dixhitale, prandaj njerëzit e biznesit janë më të lumtur atje. Kështu që u fokusuam mbi to. Një nga projektet më të mira që bëmë pas shtrirjes së internetit në çdo shkollë, ishte one-stop-shop për regjistrimin elektronik të biznesit dhe krahas tij, arritëm të vendosim sistemin e one-stop-shop për lejet dhe licensat. Me sistemin e gjurmueshmërisë, njerëzit e biznesit mund të gjurmojnë dokumentat e tyre kudo që të ndodhen në administratën tonë. Ne po punojmë dhe kemi arritur të vendosim sistemin elektronik të taksave, doganave. Për vendin tim është vendimtare, jetësore të krijojë standardet më të mira elektronike për bizneset dhe qytetarët. Në kemi ndërmend të krijojmë një one-stop-shop për të gjithë shërbimet, për qytetarët shqiptarë. Disa prej këtyre shërbimeve tashmë janë në Cloud Computing. Më tej, ne do t’i zgjerojmë, në mënyre që të ulim kostot.
Ne po përpiqemi të dixhitalizojmë tërësisht sistemin shëndetësor. Kemi vënë në zbatim telemjekësinë, që përbënë një avantazh të madh. Mjekët në të gjithë vendin marrin këshilla të mira nga kolegët e tyre në qendrat më të mira mjekësore në SHBA dhe Europë, për të ndihmuar pacientët e tyre.
Do të donim shumë ta shtrinim atë në bujqësi. Kjo doktrinë ikonash ka meritën që mund të përdoret nga të gjithë, prandaj është vendimtare që fermerët tanë të shfrytëzojnë informacionin e jashtëzakonshëm që është jetësor për ta. Unë mendoj se për ne është një sektor shumë i rëndësishëm.
Në përgjithësi, tani indeksi i penetrimit të ICT është rreth 60%, por, ambicia jonë është shikojmë indekse më të ndjeshme cilësore, për ta bërë më të dobishëm rrjetin për qytetarët tanë. Në tërësi, nuk ka gjë më të çmuar për qëniet njerëzore sesa koha. Ne punojmë fortë që t’i sigurojmë kohë qytetarëve, por krahas saj, informacionin dhe kjo, mund të arrihet vetëm nëpërmjet një aksesi më brez të gjerë për të gjithë.
Këtë vit ne do të sigurojmë internet falas në 1200 zyra në të gjithë vendin. Nuk duhet të ketë pengesa në përdorimin e tij për shkak të tarifave. 125 projekte po vazhdojnë në të gjitha fushat. Unë besoj se nuk ka forcë më të shpejtë shtytëse për zhvillimin sesa ICT. Prandaj, ne punojmë me durim, por këmbëngulim për ta kthyer vendin në një vend plotësisht dixhital.
Për sa i përket sektorit privat, e ftoj që ta shikojë Shqipërinë si mundësi investimi. Këtu kemi një klimë shumë të favorshme biznesi. Por, në së në tërësi taksat janë më ulëta në Evropë, së shpejti Tirana do të sigurojë një parkë ICT pa taksa, për ata që do të duan të investojnë aty për inovacione, kërkime dhe qëllime të tjera.
Kështu, ju ftoj të konsideroni të investoni në këtë vend, duke ju siguruar se këto investime do të jenë një histori shumë e suksesshme.
Sërish, shumë faleminderit, zoti Sekretar i Përgjithshëm, për nderin që i bëtë vendit tim për mbajtjen e kësaj konference, në vitin e 100 vjetorit të Shqipërisë.
Faleminderit”
06/09/2012