E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha sot në Kroaci me ftesë të Sanader

Kryeministri Berisha u nis dje në mesditë nga Shqipëria drejt Kroacisë i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli. Berisha fillimisht do të pritet nga homologu i tij Sanader, dhe me pas do te vijoje nje axhende e ngjeshur me takime 

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha ndodhet sot në Kroaci me ftesë të Kryeministrit Ivo Sanader, për një vizitë zyrtare dy ditore. Kryeministri Berisha u nis dje në mesditë nga Shqipëria drejt Kroacisë i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli.

Sic bën të ditur zyra për shtyp e Kryeministrit, kreu i qeverisë Berisha do të pritet nga homologu i tij Sanader, me të cilin do të zhvillojë fillimisht një takim kokë me kokë dhe më pas, do të zhvillohen bisedimet mes dy delegacioneve zyrtare. Gjatë bisedimeve, do të trajtohen marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, proceset integruese në NATO dhe BE, si dhe zhvillimet në rajon.

Pas bisedimeve, midis të dyja palëve pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi.
Gjatë vizitës në Kroaci, Kryeministri Berisha do të pritet në takime të veçanta nga Presidenti Stjepan Mesic dhe Kryetari i Parlamentit Luka Bebic.
Kryeministrit Berisha i është rezervuar gjithashtu një takim edhe me Dhomën e Ekonomisë me përfaqësues të biznesit kroat.
Një takim i veçantë do të jetë ai me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›