E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dosjet", KE: Jo zbatimit, pa vendimin e Kushtetueses

Zyrtarët e KE-së, pritet të bëjnë rekomandimet e rastit në një deklaratë, e cila do hartohet në përfundim të vizitave. Reporterët e KE-së takojnë sot Kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, dje takuan deputetin e PD-së, Biberaj. 

TIRANE-Vizita faktmbledhëse në Tiranë e 2 reporterëve të Këshillit të Europës, vijon sot me një takim kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli. Reporterët Jako Lakson dhe Dejvid Uillshajer zhvilluan mbrëmë vonë një takim me deputetin e PD-së Aleksandër Biberaj, i cili vetëm 2 javë më parë u shkarkua, me urdhër të Topallit, nga posti i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së.

Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura pa praninë e medias, sic kanë qenë edhe takimet me ambasadorin amerikan John Withers, ambasadorin britanik, ambasadoren ceke dhe të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik në vendin tonë. Këto delegacione janë shprehur hapur kundër ligjit të dosjeve. „Gazeta Shqiptare“ bën të ditur se në këto takime është kërkuar që ligji të mos zbatohet derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet.
Një tjetër çështje shqetësuese që është ngritur me shqetësim, mësohet se kanë qenë edhe zgjedhjet e ardhshme në vend. Zyrtarët e KE-së, pritet të bëjnë rekomandimet e rastit në një deklaratë, e cila do hartohet në përfundim të vizitave.

Gjatë ditës së djeshme reporterët e KE-së, Jako Lakson dhe Dejvid Uillshajer zhvilluan një takim me kryetarin e PS-së Edi Rama. Mësohet se lideri i opozitës denoncoi te reporterët e KE-së përpjekjen e Berishës, se me anë të ligjit të dosjeve po kërkon të bllokojë institucionet e drejtësisë dhe kërkoi që qeveria të tërhiqet nga ligji aktual. Gjithashtu burime nga PS bëjnë të ditur se Rama ka informuar reporterët e KE-së dhe për vonesën në pajisjen e qytetarëve me karta identiteti si dhe shkeljen, sipas socialistëve, të afateve për publikimin e regjistrit civil dhe listave paraprake, të cilat do të ndikojnë në një proces zgjedhor demokratik dhe të standardizuar
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›