E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata para disa muajsh, Alibeaj-gjyqtarëve: Nuk duhet t’i detyroni qytetarët që t’ju vrasin

Nga Bledar Lumani

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, është shfaqur dje te Spitali Ushtarak duke deklaruar se sulmi ndaj Ardian Nunit është sulm ndaj sistemit gjyqësor. Por, deklaratat e vazhdueshme të Alibeajt nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse kanë nxitur këtë situatë dhune ndaj togave të zeza. Shpesh ai është përfshirë në përplasje me gjykatat, madje duke legjitimuar dhunën fizike ndaj tyre.

Para disa muajsh, Alibeaj tha se gjykatësit nuk duhet t’i detyrojnë gjyqtarët që njerëzit të qëllojnë mbi ta. “Duhet t’ju ofroni qytetarëve një shërbim me përulësi dhe jo me përçmim, siç ndodh aktualisht. Nuk duhet t’i detyroni qytetarët të vdesin në sallat e gjyqit nga lodhja, nuk duhet t’i detyroni që të qëllojnë ndaj jush me armë”, - tha Alibeaj. Më tej, me shumë ironi ministri i Drejtësisë iu bëri një pyetje gjyqtarëve: “A keni analizuar ndonjëherë pse ndodhin këto, që qytetarët shkojnë deri në veprime ekstreme? Që qëllojnë në drejtimin tuaj në sallën e gjyqit?”

“Do të ketë kontrolle të përditshme dhe të përhershme. Ju nuk duhet të keni frikë për kontrollet, nëse jepni drejtësi dhe zbatoni ligjin”, - tha Alibeaj, duke i akuzuar gjyqtarët se nuk qëndrojnë në punë gjatë orarit zyrtar. “Është e turpshme që një gjyqtar nuk është në punë në orën 14:00. Çfarë jeni ju që nuk punoni? Keni rënë nga qielli?”

Ky qëndrim radikal i Alibeajt solli reagimin atëkohë të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.

“Argumentet që sjell ministri i Drejtësisë duke legjitimuar dhunën fizike kundër gjyqtarëve, shembulli që solli ministri për përdorim armësh kundër pushtetit gjyqësor dhe gjyqtarëve, janë një inkurajim i hapur për vetëgjyqësi nga publiku. Një mesazh i dhënë nga ministri i Drejtësisë për inkurajim dhe legjitimim të aksioneve të dhunshme kundër gjyqtarëve mund të sjellë shumë shpejt një faturë shumë të rëndë për gjyqësorin shqiptar”, - thuhet në deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve. Ata kanë reaguar dy ditë me vonesë ndaj deklaratave të ministrit Alibeaj, e kjo sigurisht për një arsye. Të pyetur se pse janë vonuar për këtë reagim, ndërsa do të kishte qenë më e udhës që kundërshtimet t’i ishin thënë ministrit që në momentin e parë pas artikulimit prej tij të akuzave të rënda, njëri prej gjyqtarëve të kryeqytetit iu përgjigj duke thënë se “Alibeaj na injoroi duke u larguar nga mbledhja në momentin që ne po diskutonim. Nuk e prisnim një reagim të tillë, kaq brutal dhe fyes ndaj gjithë trupës së gjyqtarëve në bllok”.

KLD, Spahiu: Të nënshkruajmë një memorandum për të mos denigruar gjyqtarët

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, e quajti sulm të mafies kundër drejtësisë atentatin ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni.

“Pa vlerësuar motivacionin e ngjarjes së ndodhur, që lidh elementët e një vepre penale me figurën e një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, e cila përbën instancën finale të ushtrimit të pushtetit gjyqësor, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shpreh shqetësimin për gravitetin e veprimeve të tilla”, - thuhet në një njoftim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Këto veprime, jo vetëm injorojnë garancitë kushtetuese të posaçme për protagonistët e dhënies së drejtësisë, por i cenojnë ata edhe në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, që me Kushtetutë i akordohen çdo individi në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke dëmtuar publikisht imazhin që pushteti gjyqësor ndërton në një shtet demokratik”, - tha Spahiu.

Duke konsideruar efektin negativ që kjo ngjarje sjell në shoqëri mbi lehtësinë e cenimit të gjyqtarëve, Spahiu i kërkon organit të prokurorisë zbardhjen sa më parë të rrethanave të ngjarjes, me qëllim dhënien e drejtësisë dhe rikuperimin në afate optimale të besimit të qytetarëve në mbrojtjen e figurave publike. “Në rastet ku implikohet figura e një gjyqtari, organet kompetente shtetërore duhet të tregojnë kujdes të veçantë në trajtimin institucional të çështjes, me qëllim ruajtjen e diskrecionit të nevojshëm në publikimin e të dhënave për çdo rast konkret”, - tha Spahiu.

Në përfundim, Spahiu ka ftuar të gjithë institucionet e dhënies së drejtësisë në nënshkrimin e një memorandumi të përbashkët, i cili të synojë angazhimin maksimal për të mos lejuar denigrimin e gjyqtarëve, si dhe të funksionarëve të tjerë të procesit të dhënies së drejtësisë.

Gjykata e Lartë: Fushatat politike dhe mediatike po ndikojnë negativisht duke sjellë ngjarje të tilla

Gjykata e Lartë përmes një deklarate ka theksuar se atentati ndaj anëtarit të Gjykatës së lart është një sulm kundër pushtetit gjyqësor të Shqipërisë. “Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë një shqetësim të madh, jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare, e interesuar aq shumë për funksionimin normal të shtetit të së drejtës. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje shumë e rëndë, anëtarët e Gjykatës së Lartë kërkojnë zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të gjyqtarëve. Prekja e një gjyqtari përbën në vetvete një kërcënim serioz për shoqërinë, rendin, demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, - thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.

Më pas në deklaratë theksohet se sulmet e vazhdueshme politike dhe mediatike ndaj gjyqësorit po ndikojnë negativisht në ruajtjen e figurës së gjyqtarit dhe perceptimit të njerëzve për ta. “Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se gjykatat janë institucione në shërbim të qytetarëve e të shoqërisë. Gjykatave, si institucionet që japin drejtësi dhe mbrojnë të drejtat e palëve në gjykim nëpërmjet zbatimit të ligjit, duhet t'iu garantohen masa të plota sigurie. Askush nuk duhet të guxojë të kërcënojë jetën apo të denigrojë autoritetin dhe integritetin e çdo gjyqtari të Republikës. Konstatojmë se, në vijimësi fushatat politike dhe mediatike, si dhe sulmet ndaj gjyqësorit në tërësi, përveç presionit, ndikojnë negativisht në deformimin e perceptimit të publikut mbi dhënien e drejtësisë dhe gjykatave, njëkohësisht nuk i shërbejnë në asnjë rast ruajtjes së figurës dhe autoritetit të gjyqtarit dhe gjyqësorit. Anëtarët e Gjykatës së Lartë deklaruan se kërkojnë fuqishëm nga organet kompetente marrjen e masave të menjëhershme ligjore, institucionale, organizative e materiale, jo vetëm për zbardhjen e ngjarjes dhe vënies para përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore në funksion të sigurisë së gjyqtarëve dhe të gjykatave për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga të gjithë”, - thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë. “Nga ana tjetër, garantojmë opinionin publik se, Gjykata e Lartë dhe gjyqtarët në tërësi do të vazhdojnë dhe njëkohësisht të thellojnë angazhimin e tyre në të ardhmen për ushtrimin me korrektësi të misionit të tyre në dhënien e drejtësisë së barabartë dhe për të gjithë, duke zbatuar vetëm Kushtetutën dhe ligjin”, - përfundon deklarata.

ZMQ: Mënyra e sjelljes së politikës po pjell të tilla akte kriminale

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve duke reaguar dje për atentatin ndaj Nunit tha se mënyra e sjelljes së politikës ka sjellë këtë krim. “Ky veprim kriminal tregon dhe njëherë pasigurinë e lartë që mbretëron në Shqipëri. Institucionet shtetërore duhen të marrin masa urgjente për zbardhjen e së vërtetës, si dhe për një ndëshkim shembullor të autorëve të kësaj ngjarjeje të shëmtuar.

ZMQ kërkon nga ana e vetë trupës gjyqësore një reagim serioz ndaj këtij rasti për të mos u kthyer në një fenomen të zakonshëm.

ZMQ kërkon nga politika shqiptare që jo vetëm të denoncojë rastet e korrupsionit në drejtësi, por të ndërmarrë reformat e domosdoshme në sistemin e drejtësisë se bashku me grupet e interesit. Këto reforma janë ndërprerë prej kohësh duke ia lënë vendin sulmeve mediatike kundër drejtësisë dhe anëtarëve të saj. Kjo mënyrë të sjelli e politikës ka pjellë reagime kriminale, si ai që ka ndodhur dje ndaj Të Nderuarit Ardian Nuni”, - thuhet në deklaratën e ZMQ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›