E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takim me kreun e parlamentit turk icek

Kryeministri Berisha ka pritur në një takim Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë, zotin Cemil Çiçek dhe delegacionin e parlamentarëve turq që e shoqëronte. Kryeministri tha se në të gjithë këto vite miqësie mes vendeve, Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë ka votuar dhe ka marrë vendimet më miqësore dhe mbështetëse për shqiptarët. Nga ana e tij, zoti Çiçek, duke falënderuar për mikpritjen, shprehu kënaqësinë që kjo vizitë e tij zhvillohej në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha u shpreh se mbështetja dhe ndihma e Turqisë ka qenë e një rëndësie themelore në ndryshimet dhe zhvillimin e vendit.  Kryeministri Berisha falënderoi zotin Çiçek për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë në fusha të tilla si arsim, shëndetësi, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Më tej, në takim u diskutua lidhur me mundësitë e reja për bashkëpunim në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të dy vendeve. Duke u ndalur veçanërisht tek investimet turke në Shqipëri, ata shprehën kënaqësinë që klima miqësore dhe vullneti i përbashkët ka bërë që ato  të rriten me 9 herë, si dhe rikonfirmuan vullnetin për nxitjen dhe zhvillimin e tyre, si një e mirë e përbashkët për të dy vendet. Zoti Çiçek vlerësoi në këtë kontekst, Forumin e biznesit shqiptaro-turk të zhvilluar në Turqi, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Berisha, duke shprehur bindjen se frytet e tij do të shihen së shpejti.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e Turqisë në drejtim të paqes dhe të stabilitetit, duke theksuar se Turqia me politikat e saj ka ndikuar në zhvillimet më pozitive të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›