E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën, z. Jacques Diouf

Drejtori i Përgjithshëm i FAO, z. Diouf, tha se kishte ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe ishte i impresionuar nga sukseset e qeverisë shqiptare, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, por dhe në fusha të tjera të rëndësishme të ekonomisë. 

Kryeministri Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Davosit,  zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën, z. Jacques Diouf

Kryeministri Berisha i shprehu z. Diouf mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën që ka dhënë FAO në zhvillimin e Shqipërisë, veçanërisht në fushën e agrikulturës dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin me këtë organizatë shumë të rëndësishme botërore, në mënyrë që miqësia dhe marrëdhëniet dypalëshe të  bëhet akoma edhe më të qëndrueshme.

Kryeministri Berisha e njohu Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën, z. Jacques Diouf, me reformat që po ndërmerr  qeveria shqiptare në të gjitha fushat, veçanërisht me reformat ekonomike, krijimin e klimës së favorshme për biznesin, ndjekjen e politikës së uljeve të taksave, investimet e mëdha në infrastrukturë, etj. Kryeministri tha se infrastruktura rrugore po ndërtohet në mbarë Shqipërinë dhe për këtë, 32 përqind e buxhetit shkon për investime në rrugët e vendit, pasi zhvillimi i infrastrukturës ndihmon bizneset dhe fermerët e vendit dhe rrjedhimisht, zhvillimin e bujqësisë.  Gjithashtu, qeveria shqiptare po investon shumë në ndërtimin e rrjeteve moderne të ujitjes,si një sektor prioritar për bujqësinë, ndërkohë që po ndiqen politika të përdorimit të ekonomizuar të sasive ujore.

Kryeministri Berisha theksoi se një nga projektet më të mëdha në mbarë vendin, e ndërmarrë së fundi nga qeveria, është mbjellja e fidanëve të ullirit. Shqipëria, tha Kryeministri, është një vend me 400 km bregdet, një pjesë e madhe e të cilave mund të shfrytëzohen për kultivimin e ullirit. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha tha se do të ishte shumë e vyer ndihma dhe eksperienca e Organizatës Kombeve të Bashkuara për Ushqimin. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që ajo të kthehet në një vend prodhues në rajon, për vajin e ullirit dhe derivatet e tij.     

Gjithashtu, Kryeministri bëri të ditur se, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka nisur projekti për ndërtimin e rrugëve rurale të vendit, të cilat do të ndihmojnë shumë në lidhjen e fermerëve me tregun dhe tërheqjen e prodhimeve të tyre. Duke u ndalur në hapat konkretë të mbështetjes së qeverisë për fermerët, ndër të tjera, Kryeministri tha se tashmë është ngritur një agjenci për të mbështetur fermerët me kredi, në zhvillimin e sipërmarrjeve të tyre bujqësore.  

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, z. Diouf, tha se kishte ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe ishte i impresionuar nga sukseset e qeverisë shqiptare, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, por dhe në fusha të tjera të rëndësishme të ekonomisë. 

Z. Diouf theksoi se ndihma e FAO-s për Shqipërinë do të jetë konkrete dhe do të nisë me dërgimin e një misioni në Shqipëri, për të diskutuar me të gjitha departamentet dhe ekspertët përkatës, për të përcaktuar fushat e bashkëpunimit dypalësh.

Gjithashtu, FAO do të financojë disa projektet pilot për të ndihmuar konkretisht zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri, si dhe do të vendoset  lidhja me Qendrën e Investimeve të FAO-s, e cila do të financojë një studim fizibiliteti të mbarë territorit të Shqipërisë, për të evidentuar resurset e vendit dhe hapësirat e duhura për zbatimin projekteve.

Kryeministri Berisha e ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga z. Diouf. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›