Kryeministri Berisha priti një delegacion me përfaqësim të gjerë të Parlamentit të Zvicrës të kryesuar nga Kryeparlamentarja Sh.S.Zj Maya Graf.

Kryeministri Berisha priti një delegacion me përfaqësim të gjerë të Parlamentit të Zvicrës të kryesuar nga Kryeparlamentarja Sh.S.Zj Maya Graf.
-Kryeministri Berisha tha se kjo është vizita e nivelit më të lartë që Konfederata Helvetike ka kryer në Shqipëri ndërsa besonte se investitorët zvicerane pas njohjes me të mirë të leverdisë e lehtësirave për biznes që ofron Shqipëria do te vërshonin drejt saj.
Pasi i uroi mirëseardhjen Kryeparlamentares së Zvicrës dhe anëtarëve të delegacionit, që përfaqësonin të gjitha grupet politike të Konfederatës Helvetike, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi si shumë të çmuar ndihmën që Zvicra ka dhënë për Shqipërinë në të gjitha fushat e jetës së vendit si në Bujqësi, Industri, Shëndetësi, Ndërtim, Pushtetin lokal etj.
Qeveria shqiptare është e gatshme ti firmosë të gjitha marrëveshjet bilaterale për të përmirësuar e konsoliduar marrëdhëniet mes nesh, - tha Kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh shumë i kënaqur për trajtimin e Zvicrës ndaj komunitetit të shqiptarëve atje.
Kryeparlamentarja e Zvicrës Graf tha se vinin në Tirane nga Prishtina përmes rrugës së Kombit dhe kishin parë me sytë e tyre bukuritë e viseve dhe mikpritjes shqiptare. Ajo tha se ishin njohur me efektivitetin e projekteve zvicerane në Shkodër e Lezhe dhe se synonin ti zgjeronin e mbështesnin me shumë ato.
Kryeministri Berisha tha se është një fushë ku prania e Zvicrës duhet të jetë me intensive dhe kjo është fusha e investimeve. “Kam bindjen se nëse investitorët do të njihnin më mirë realitetin e leverdisë për biznes në Shqipëri dhe lehtësirave fiskale që ne ofrojmë me taksat më të ulta të mundshme ato do të vërshonin në Shqipëri sidomos në energjetikë dhe turizëm”,- tha Kryeministri Berisha.
Duke e quajtur mjaft të frytshme praninë e Zvicrës në sistemin arsimor në Shqipëri, Kryeministri Berisha kërkoi që kjo ndihmë të jetë akoma më e madhe për konsolidimin e arsimit profesional. “Ne kemi një treg të ri dhe të mirë pune, por trajnimi i tij është shumë i rëndësishëm për ekonominë tonë. Na duhet ndihma dhe përvoja juaj, sepse duam ta fuqizojmë shkollën profesionale”,- u shpreh Kryeministri Berisha duke e njohur delegacionin zviceran me masat që po merr qeveria shqiptare, për të nxitur rritjen ekonomike përmes punësimit dhe theksuar nevojën e tregut bankar në Shqipëri për praninë e Bankave zvicerane.
Kryeparlamentarja e Zvicres Maya Graf tha se, bashke me anëtarët e tjerë të delegacionit do ti bënin të njohur qeverisë, por edhe investitorëve në Zvicër realitetin e favorshëm për investime në Shqipëri dhe nevojës që ka Shqipëria për ndihmë në konsolidimin e arsimit profesional dhe praninë e bankës zvicerane.
Kryeministri Berisha pasi vlerësoi kontributin e Zvicrës për konsolidimin e Paqes dhe stabilitetin në Rajon dhe njohjen ndër të parat shtete të Kosovës tha se Shqipëria priste një histori suksesi të saj në kryesimin e OSBE-së ndërsa shpresonte që të takoheshin me delegacionin zviceran në Brazil gjatë Botërorit të 2014 ku gjasat e ekipit shqiptar të futbollit për të marre pjesë krah ekipit zviceran janë rritur shumë.
05/04/2013