E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Bakoyannis: Shqipëria ka mbështejen e plotë të Greqisë për anëtarësimin në NATO

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministren e Jashtme të Greqisë, zonjën Theodora Bakoyannis.

Zonja Bakoyannis i shprehu Kryeministrit Berisha ngushëllimet për ngjarjen tragjike të Gërdecit, duke theksuar solidaritetin e plotë të qeverisë greke për këtë tragjedi. Nga ana e tij, Kryeministri e falënderoi ministren e Jashtme për mbështetjen e qeverisë greke për përballimin e tragjedisë së Gërdecit dhe për ndihmën e menjëhershme që ajo dha, duke mundësuar menjëherë kurimin  në spitalin e Janinës të një numri të plagosurish rëndë në këtë tragjedi.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Bakoyannis për mbështetjen fuqishme e miqësore të qeverisë greke, në të gjitha fushat, si në nivel dy palësh ashtu edhe në  atë shumëpalësh. Mbështetja juaj, në frymën e Samitit të Selanikut, për vendet e Ballkanit perëndimor është shumë e rëndësishme, theksoi Kryeministri.  

Të dy personalitetet diskutuan për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes reciprok, duke inkurajuar veçanërisht bashkëpunimin ekonomik në nxitjen e investimeve greke në Shqipëri. Kryeministri e siguroi ministren Bakoyannis se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për krijimin e një klime lehtësuese dhe mbështetëse për investimet e huaja. Ai nënvizoi se investimet greke zënë një vend të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare.  

Më tej, Kryeministri tha se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në të gjitha fushat, duke falënderuar edhe qeverinë greke për ndihmën e saj në këtë drejtim.  

Ministra e Jashtme e Greqisë, zonja Theodora Bakoyannis vuri në dukje se mes dy vendeve tona ka një miqësi të gjatë. Gjithashtu, ajo bëri të ditur se sot pati takime shumë të frytshme në Tiranë, në funksion të forcimit të bashkëpunimit dypalësh.

Ministrja e Jashtme greke tha se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Greqisë për anëtarësimin e saj në NATO. Ajo theksoi më tej se Shqipëria ka dëshmuar vullnetin e saj të plotë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe Greqia beson se Shqipëria e meriton të marrë ftesën për anëtarësim në NATO.   

Të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se të dy vendet kanë të ardhme të përbashkët në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim, zonja  Bakoyannis bëri të ditur se parlamenti grek do të ratifikojë brenda një kohe të shkurtër Marrëveshjen e Stabilizim–Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Nga ana e tij, Kryeministri e falënderoi zonjë Bakoyannis për mbështetjen e Greqisë në proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Të dy personalitetet diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, e në Kosovë.  Kryeministri  Berisha shprehu  bindjen se pavarësia e Kosovës është njëkohësisht në interes të paqes e stabilitetit të të gjithë rajonit, por edhe në të mirë të Beogradit. Ai nënvizoi se ruajtja e kufijve ekzistues ndërkombëtarë është e rëndësishme për stabilitetin në rajon.  

Zonja Bakoyannis u shpreh se Greqia mbështet prezencën europiane në Kosovë, duke theksuar se ajo ndjek me vëmendje situatën, zhvillimet dhe stabilitetin atje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›