Kryeministri Berisha takon ambasadorët e Belgjikës, Sllovakisë, dhe Lituanisë në NATO
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim me ambasadorët e Belgjikës, Sllovakisë, dhe Lituanisë në NATO, përkatësisht zotërinjtë Franciskus Baron van Daele, Igor Slobodnik dhe Linas Linkevicius.
Në fillim të takimit, ambasadorët i shprehën kryeministrit Berisha ngushëllimet e sinqerta për humbjen e jetëve njerëzore në tragjedinë e Gërdecit, si dhe shprehën solidaritetin e vendeve të tyre ndaj qeverisë shqiptare dhe familjeve të viktimave të tragjedisë. Ambasadorët vlerësuan angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për vënien nën kontroll të situatës dhe më pas përballimin me sukses të emergjencës.
Duke i falënderuar për mbështetjen e tyre, Kryeministri Berisha i njohu ambasadorët me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe masat konkrete që po ndërmerr ajo për tu ardhur në ndihmë të prekurve nga tragjedia. Si një problem madhor, Kryeministri cilësoi ekzistencën e stoqeve të municioneve të vjetra, për të cilat qeveria do të marrë masat për shkatërrimin sa më shpejt dhe të plotë të tyre.
Kryeministri Berisha u shpreh se dy janë projektet madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimi në NATO dhe në BE, për të cilat qeveria shqiptare po punon nëpërmjet ndërmarrjes të një sërë reformave në fusha me rëndësi jetike për vendin. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se në sajë të klimës shumë të mirë të bashkëpunimit me opozitën, reforma në fushën e drejtësisë po ecën me sukses, si dhe po punohet intensivisht për reformën elektorale, duke i konsideruar këto reforma të një rëndësie të veçantë për procesin e integrimit. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh është në rrugë të mbarë procesi i përfundimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, të cilat do të përmbajnë të gjitha parametrat bashkëkohor. Ndër të tjera, Kryeministri i njohu ambasadorët me ecurinë e punës për hartimin e regjistrit elektronik të gjendjes civile
Kryeministri Berisha i njohu më pas ambasadorët me ecurinë e reformave në fusha të ndryshme, duke theksuar vullnetin e qeverisë për të vazhduar luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe informalitetit si kusht vendimtar për integrim në strukturat euroatlantike.
Më tej, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të ecurisë së reformave në fushën ekonomike, ku i njohu bashkëbiseduesit me një sërë masash të ndërmarra si digjitalizimi i shumë procedurave, të cilat shmangin burokracinë dhe lehtësojnë bizneset. Të gjitha këto, theksoi Kryeministri e kanë bërë Shqipërinë një vend tërheqës dhe të sigurt për investimet e huaja.
Ndër të tjera, Kryeministri paraqiti disa nga rezultate e reformave të ndërmarra në fushën e mbrojtjes, me synimin e krijimit të një ushtrie të vogël në numër, por profesioniste, sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, në vitin 2010. Kryeministri u shpreh se trupat shqiptare kanë dhënë kontributin e tyre, përkrah trupave të NATO-s, në misionet paqeruajtëse në Irak, Afganistan, Bosnje, etj..
Duke falënderuar për mikpritjen, zotërinjtë Franciskus Baron van Daele, Igor Slobodnik dhe Linas Linkevicius, vlerësuan arritjet e qeverisë shqiptare në procesin e reformave integruese, si dhe zhvillimet pozitive në fushën ekonomike.
Ata e siguruan Kryeministrin Berisha se Belgjika, Sllovakia dhe Lituania përkrahin përpjekjet e Shqipërisë për integrim në NATO dhe BE.
Ambasadorët vlerësuan rolin konstruktiv dhe moderues të Shqipërisë në rajon, në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe sigurisë, si dhe shprehën mirënjohjen e NATO-s për përfaqësimin me dinjitet të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse përkrah NATO- s, në Afganistan, Irak, Bosnje.
Ndër të tjera, gjatë takimit personalitetet diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, dhe kryesisht në Kosovë. Kryeministri Berisha theksoi se pavarësia e Kosovës është kusht themelor për paqen dhe stabilitetin në rajon.