Kryeministri Berisha: Qeveria po ndryshon me shpejtësi imazhin e Shqipërisë në botë
Kryeministri Berisha tha sot gjatë një konference për shtyp në Kalanë e Lëkurësit në qytetin e Sarandës se qeveria po përmirëson në mënyrë të shpejtë dhe të vazhdueshme imazhin e Shqipërisë në botë.
Kryeministri theksoi se përmirësimi i imazhit të vendit tonë ka ardhur falë reformave të guximshme që ka ndërmarrë qeveria në të gjitha fushat.
Duke e vënë theksin në bumin turistik që pësoi Shqipëria, Kryeministri vlerësoi se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit është pasaporta më e shkëlqyer për destinacionet turistike.
“Ftesa e Shqipërisë për anëtarësim në NATO është pasaporta e re më e shkëlquyer për destinacionet turistike, por siç jeni dëshmitarë, përpjekjet e qeverisë time kanë qenë të jashtëzakonshme për ta shdërruar Sarandën në një qytet europian në kuptimin e infrastukturës së përshtatshme. Nga Orikumi në Ksamil janë investuar dhe do të investohen gjatë këtyre viteve mbi 200 milionë euro për një Sarandë dhe për një breg europian”, tha Kryeministri.
Ju, vijoi më tej Kryeministri, e shihni se në qoftë se do të kishte një emër të dytë kjo qeveri dhe Sali Berisha, do të quhej premtimbajtësi dhe qeveria e premtimeve të mbajtura. “Dua t`u siguroj se unë do të mbetem gjithnjë, për sa kohë shqiptarët më besojnë, një shërbëtor i qytetarëve shqiptarë, një besnik i palëkundur në premtimet e mia, një njeri i mbajtjes së fjalës së dhënë. Realizimi i premtimeve është përgjigja më e shkëlqyer që mund t`i jepet lumit të fjalëve boshe që vërshojnë 24 orë në 24 në hapësirën e këtij vendi”, tha Kryeministri.
Shqipëria, u shpreh Kryeministri, ka patur ritmet më të larta në Europë në dy vitet e fundit në rritjen e turizmit. “Në të gjitha agjencitë prestigjioze turistike dhe mediat ndërkombëtare e kanë reenditur Shqipërinë si nga destinacionet turistike më të preferuara. Në krye të preferencës shqiptare qëndron Saranda me bukurite e saj perrallore me infrastrukturën dhe mikpritjen e saj”, tha Kryeministri.
Ne, vijoi më tej Kryeministri Berisha, presim që këtë vit të tejkalojmë dyfishimin e turistëve të ardhur krahasuar me verën e vitit të kaluar.
Duke patur rritjen e turizmit, fuqizimin dhe zhvillimin e tij si një nga objektivat më madhorë, si potencialin më kryesor për zhvillimin e vendit dhe shkëputjen e tij nga problemet e së shkuarës Kryeministri garantoi se qeveria do të mbilizojë fonde të mëdha në mënyrë që t`i shndërrojmë brigjet tona, pse jo edhe malet e këtij vendi, në gjeneratorë të mëdhenj të pasurimit të qytetarëve shqiptarë.
Pyetje: Zoti Kryeministër ju keni premtuar se do të shndërroni edhe Finiqin në një qendër të vizitueshme.
Kryeministri Berisha: Unë ju siguroj ju se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka marrë përsipër, po finalizon projektin dhe po e tenderon atë. Specialistët më kanë informuar se nuk është rrugë e thjeshtë. Por, porosia ime ka qenë se pavarësisht vështirësisë apo kostos rruga do të bëhet. Unë e kam ndjekur këtë çështje, por më kanë informuar se ajo kalon në një terren të vështirë. Ne do të vendosim në paketat turistike dhe do të bëjmë çdo përpjekje që turistët që vizitojnë Butrintin të kalojnë në Finiq dhe në Manastirin e 40 shenjëtorëve.