Kryeministri Berisha: Përurimi i ujësjellësit të Sarandës, një tjetër shembull i premtimeve të mbajtura
Kryeministri Berisha deklaroi sot në Sarandë se qeveria e tij është qeveria e premtimeve të mbajtura dhe e shërbimit ndaj qytetarëve. Gjatë inaugurimit të staçionit të pompimit të ujësjellësit të Sarandës, Kryeministri Berisha tha se ky është një tjetër premtim i përmbushur nga qeveria e tij.
Kryeministri theksoi se filozofia e kësaj qeverie është e thjeshtë dhe bazohet në moralin njerëzor të mbajtjes së premtimeve të dhëna.
“Dëshmuat ju me kamerat dhe mikrofonat tuaj një premtim tjetër të mbajtur të Sali Berishës dhe qeverisë së tij. Vitin e kaluar ne premtuam ndërtimin e këtij sistemi dhe sot ne shtypëm butonat e inaugurimit. Premtuam rrugën e Kanalit të Çukës dhe sivjet premë shiritin, premtuam rrugën e bregut dhe ju e patë që është duke u ndërtuar në të gjithë trajektoren e saj; premtuam rrugën Konispol-Sarandë dhe premë shiritin, premtuam rrugën e Xarës dhe së bashku do të presim shiritin”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri nënvizoi se me inaugurimin e këtij ujësjellësi qyteti i Sarandës do të furnizohet me 120 litra ujë/sekondë, një sasi e mjaftueshme kjo për standardet më të larta për 100 mijë banorë.
“Me inaugurimin e këtij ujësjellësi qytetarët furnizohen me ujë 50 % më shumë dhe kjo është një shtesë e konsiderueshme dhe që bën që qytetarët të furnizohen rregullisht me ujë gjatë këtij sezoni turistik dhe në vazhdim”, tha Kryeministri.
Sistemi i pompimit të ujësjellësit të Sarandës është një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 15 milionë lekë.