E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit Oktay Asadov

Në vijim të takimeve me personalitetet më të larta në Baku, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, zotin Oktay Asadov.

Në takim u theksua fryma miqësore e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe vullneti i fortë i të dyja palëve për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, në interesin e përbashkët të të dy vendeve.

Kryeparlamentari Asadov vlerësoi si një hap pozitiv në konsolidimin e marrëdhënieve midis dy vendeve edhe ngritjen e grupeve parlamentare të miqësisë. Ai inkurajoi vizitat reciproke për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit e fusha të tjera, të marrëdhënieve kulturore etj.

Zoti Asadov falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara apo institucione të tjera ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që vizitonte Azerbajxhanin, me besimin se kjo vizitë i kontribuon forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri i kushtoi rëndësi e veçantë rritjes së bashkëpunimit ekonomik.  Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të garantuar suksesin e çdo investitori azer në Shqipëri. Kryeministri theksoi se do të ishte e mirëpritur prezenca e kompanisë shtetërore azere Socar, me investimet e saj në fushën e energjisë dhe naftës, në Shqipëri.

Kryeministri Berisha tha se Shqipëria vlerëson gjithashtu kontributin e Azerbajxhanit për stabilitetit e rajonit, sikurse dhe mbështeti integritetin territorial të saj. Bashkëbiseduesit ndanë  qëndrimin se çështjet  e rajonit duhet të zgjidhen duke respektuar angazhimet e normat ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Asadov dëshirën për realizimin sa më të afërt të vizitës së tij në Tiranë.


09/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›