Kryeministri Berisha takohet me drejtues të lartë të kompanive Starkraft dhe Statoil, në Norvegji
Në vijim në vizitës së tij në Oslo, pas punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri – Norvegji, Kryeministri Berisha u takua sot me drejtues të lartë të kompanive Statkraft dhe Statoil.
Fillimisht, Kryeministri Berisha vizitoi zyrat qëndrore dhe Pikën e Komandës së Prodhimit dhe Shpërndarjes së Energjisë në kompaninë Statkraft. Kjo zyrë koordinon punën për Finlandën, Suedinë dhe Norvegjinë dhe monitoron ecurinë mbi projektin e kaskadës së Devollit, në Shqipëri.
Kryeministri Berisha zhvilloi, gjithashtu, një takim me Zv/Presidentin Ekzekutiv të kompanisë Statkraft, zotin Øistein Andersen, ku u diskutua mbi ecurinë e projektit të kaskadës së Devollit. Zëvendëspresidenti i kompanisë Statkraft, zoti Andersen, e informoi Kryeministrin Berisha mbi përfundimin e studimit të fizibilitetit të projektit, sikurse shprehu kënaqësinë për përmbylljen në kohë të procesit të marrjes së lejes mjedisore. Ai e falënderoi Kryeministrin për gatishmërinë e administratës në përmbushjen e kësaj faze të rëndësishme për vazhdimin e mëtejshëm të projektit.
Për sa i përket infrastrukturës që do të preket nga ndërtimi i hidrocentralit në rrethin e Gramshit, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të fillojë punën për ndërtimin e aksit rrugor prej 18 kilometrash, përkundrejt zhdëmtimit që kompania Statkraft do të bej për shtetin shqiptar.
Zoti Andersen e informoi Kryeministrin edhe mbi hapjen, së shpejti, të tenderit për fillimin e punimeve civile për hidrocentralin e Banjës.
Më tej, Kryeministri Berisha pati një takim edhe me drejtues të lartë të Kompanisë Statoil, të kryesuar nga zoti Eldar Saetre, Zëvendës President Ekzekutiv për Marketingun, Përpunimin dhe energjinë e rinovueshme, i Kompanisë Statoil. Kjo kompani është një nga kompanitë kryesore të projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili synon transportin e gazit nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz-it, në Azerbajxhan, në tregjet e Evropës Perëndimore.
Në këtë takim, drejtuesit e Statoil i prezantuan Kryeministrit zhvillimet në lidhje me projektin, si dhe u diskutuan çështje me rëndësi për çuarjen përpara të tij.
Kryeministri vlerësoi projektin TAP si projektin me fizibël dhe më të shpejtë për transportimin e gazit në krahasim me projekte të tjera konkurrente. Kryeministri i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të bëjë pjesën e saj për konkretizimin me sukses të këtij projekti.
Projekti TAP paraqitet nga një konsorcium kompanish që përfshin përveç kompanisë norvegjeze Statoil, edhe EGL të Zvicrës dhe E.ON Ruhragaz të Gjermanisë.
14/11/2011