E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me drejtues të lartë të kompanive Statkraft dhe Statoil

15-11-2011 / Gazeta 55

Statkraft dhe Statoil, të pranishme në Shqipëri, përkatësisht në Kaskadën e Devollit dhe gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP)

Në vijim në vizitës së tij në Oslo, pas punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri – Norvegji, kryeministri Berisha u takua me drejtues të lartë të kompanive Statkraft dhe Statoil. Fillimisht, Kryeministri Berisha vizitoi zyrat qendrore dhe Pikën e Komandës së Prodhimit dhe Shpërndarjes së Energjisë në kompaninë Statkraft. Kjo zyrë koordinon punën për Finlandën, Suedinë dhe Norvegjinë dhe monitoron ecurinë mbi projektin e kaskadës së Devollit, në Shqipëri.
Kryeministri Berisha zhvilloi gjithashtu, një takim me Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të kompanisë Statkraft, Øistein Andersen, ku u diskutua mbi ecurinë e projektit të kaskadës së Devollit.
Zëvendëspresidenti i kompanisë Statkraft, Andersen, e informoi Kryeministrin Berisha mbi përfundimin e studimit të fizibilitetit të projektit, sikurse shprehu kënaqësinë për përmbylljen në kohë të procesit të marrjes së lejes mjedisore. Ai e falënderoi
Kryeministrin për gatishmërinë e administratës në përmbushjen e kësaj faze të rëndësishme për vazhdimin e mëtejshëm të projektit.
Përsa i përket infrastrukturës që do të preket nga ndërtimi i hidrocentralit në rrethin e Gramshit, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të fillojë punën për ndërtimin e aksit rrugor prej 18 kilometrash, përkundrejt zhdëmtimit që kompania Statkraft do të bëjë për shtetin shqiptar.
Andersen e informoi Kryeministrin edhe mbi hapjen, së shpejti, të tenderit për fillimin e punimeve civile për hidrocentralin e Banjës.
Më tej, kryeministri Berisha pati një takim edhe me drejtues të lartë të Kompanisë Statoil, të kryesuar nga Eldar Saetre, Zëvendëspresident Ekzekutiv për Marketingun, Përpunimin dhe Energjinë e Rinovueshme, i Kompanisë Statoil. Kjo kompani është një nga kompanitë kryesore të projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili synon transportin e gazit nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz-it, në Azerbajxhan, në tregjet e Europës Perëndimore.
Në këtë takim, drejtuesit e Statoil i prezantuan kryeministrit zhvillimet në lidhje me projektin, si dhe u diskutuan çështje me rëndësi për çuarjen përpara të tij. Berisha vlerësoi projektin TAP si projektin me fizibël dhe më të shpejtë për transportimin e gazit, në krahasim me projekte të tjera konkurrente.
Kryeministri i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të bëjë pjesën e saj për konkretizimin me sukses të këtij projekti. Projekti TAP paraqitet nga një konsorcium kompanish që përfshin përveç kompanisë norvegjeze Statoil, edhe EGL të Zvicrës dhe E.ON Ruhragaz të Gjermanisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›