Berisha dhe Stoltenberg i përgjigjen interesimit të medias, pas takimit
Kryeministër Stoltenberg, si i vlerësoni iniciativat e qeverisë shqiptare për të inkurajuar bizneset dhe investimet e huaja në vend?
Jemi shumë të impresionuar nga Shqipëria. Ne kemi parë një performancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka pasur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria. Në shohim potencialin, shohim sa e rëndësishme po bëhet Shqipëria, fal rritjes së fuqishme ekonomike. Prandaj besojmë se ka një potencial shumë të madh për bashkëpunimin në fushën e biznesit, për investimet, për tregtinë dhe për zhvillimin e potencialit tregtar midis dy vendeve.
E mbështesni Shqipërinë në procesin e integrimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat?
Ne e mbështesim idenë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se është e rëndësishme për Evropën, është e rëndësishme për Shqipërinë. Ne e kemi mbështetur fuqimisht Shqipërinë kur dëshironte të bëhej anëtare e NATO-s. Norvegjia është anëtare e NATO-s, prandaj kishim mundësinë ta mbështesnim Shqipërinë kur donte të bëhej anëtare e NATO-s. Ne nuk jemi anëtar të Bashkimit Evropian dhe nuk mund vendosim. Janë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët në dialog me Shqipërinë do të vendosin se sa shpejt do të lëviz integrimi në BE për Shqipërinë.
Kryeministër Berisha, cili ishte fokusi i këtij takimi?
Së pari, dua ta falënderoj Kryeministrin Stoltenberg për këtë mikpritje të madhe, për drekën shumë të shijshme, si dhe për bisedat shumë frutdhënëse që patëm së bashku. Kryeministrin Stoltenberg e kam takuar disa herë dhe tani patëm rastin të ulemi e të flasim për mundësitë reale të vendeve tona dhe për të forcuar bashkëpunimin. Pa dyshim çështja më madhore ishte energjia. Dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri. Edhe kompani të tjera po punojnë. Kryeministri më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia. Folëm, gjithashtu, për investimet në turizëm. Unë e informova, gjithashtu, Kryeministrin për dëshirën time për t’u bërë të gjelbër në çështjet e energjisë, gjithashtu, edhe në pyllëzim. Norvegjia po ndihmon shumë vende në programet e pyllëzimit në kuadër të përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike. Kemi shpresë se Kryeministri dhe qeveria e Norvegjisë do të ndihmojnë Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe për pyllëzim të mirë, politikave të pyllëzimit nëpërmjet pemëve frutore. E ftova Kryeministrin të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi ftesën. Do të jem shumë i kënaqur ta pres sa më shpejtë.