E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët demonstrojnë në sallën e gjyqit manipulimet skandaloze – edhe në prokurori – të videos

15-11-2011 / Gazeta 55

Riekspertiza e videos “Meta-Prifti”, Gjykata e Lartë rrëzon Prokurorinë. Konfirmohet zero-mundësia e gabimit të ekspertëve. Seanca gjyqësore zbardhi qëllimin politik të shantazhit dhe pritet që pas vendimit të sjellë edhe kosto për institucionet që u përfshinë në këtë inskenim

Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për riekspertimin e video-përgjimit të pretenduar e realizuar nga Dritan Prifti, ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Gjykata ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë dhe ka pranuar si provë në gjyq ekspertizën shqiptare. Vendimi i djeshëm, konfirmon se mundësia e gabimit të ekspertëve, të zgjedhur nga Gjykata, është zero.
Pas këtij vendimi, ndërsa pritet që në datën 21 nëntor, gjykimi të vazhdojë me dëshmitë e mundshme, njëherazi pritshmëria është që të denoncohet haptazi qëllimi politik i një shantazhi të ulët. Nga dje, pas përfundimit dhe demonstrimit të ekspertëve edhe në sallën e gjyqit të manipulimit të videos edhe gjatë kohës që ajo ka qenë e bllokuar me cilësinë e provës në prokuroi, si edhe pas kapitullimit të prokurorëve pas përpjekjeve të tyre për të sajuar prova në “laboratorë” televizionesh, merr një goditje të rëndë edhe i gjithë shantazhi i ulët politik, me fillesa të mirëorganizuara në “ngjarjet e bulevardit” të 21 janarit.
Shmangien e këtij dështimi, duket kanë pasur qëllim Prokuroria, e cila gjatë seancës së zhvilluar ditën e djeshme, nëpërmjet prokurorit të çështjes Bujar Sheshi, bëri tentativën e fundit, edhe kjo e dështuar, për zhvlerësimin e akt ekspertimit të video-përgjimit ndaj Ilir Metës, realizuar pak ditë më parë nga tre ekspertë shqiptarë.
Duke e kundërshtuar atë, prokurori Sheshi tha se ekspertiza nuk ka arritur në konkluzione të qarta, ndërsa kërkoi një ekspertizë tjetër për videon, këtë herë me ekspertë të huaj, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga Gjykata.
Nga ana e saj, në seancën e djeshme, Gjykata e Lartë, kundër pretendimeve të prokurorit, vendosi të administrojë si provë akt-ekspertimin e tre ekspertëve vendas, që realizuan ekspertizën e video-përgjimit ndaj Metës, duke konkluduar se ajo nuk është origjinale. Kolegji Penal ka pranuar kështu ekspertizën e tre ekspertëve shqiptarë, të cilët arritën në përfundimin se videoja Meta-Prifti e gjetur në lap-top nuk është origjinale dhe se në audion e saj ka pasur ndërhyrje. Në ekspertizën e tyre tre ekspertët kanë shpjeguar se videoja Meta-Prifti nuk është regjistruar nga ora ashtu siç pretendohej nga akuza.
Një parfundim i tillë nga ana e ekspertëve, u evidentua edhe Spartak Braho, një nga ekspertët e grupit të avokatëve të Ilir Metës, i cili në përfundim të një seance para asaj ët djeshmes, denoncoi se mbi videon ka pasur ndërhyrje edhe kur ajo ka qenë sekuestruar nga ana e prokurorisë.
“Rezulton, dhe për këtë duhet të japë përgjigje prokuroria, që ndërhyrja e fundit në lap-top është bërë në datën 1 shkurt 2011, ndërkohë që në këtë periudhë, materialet e përdorura si provë nga prokuroria, kanë qenë ët sekuestruara në zyrat e saj”, denoncoi një seancë para të djeshmes, Spartak Braho, ndërsa vuri në dukje edhe një tjetër fakt, sipas të cilit “kanë të bëjnë me çudinë e madhe që DVD-ja e transmetuar nga ‘Fiks Fare’, është e prodhuar një ditë më mbrapa se sa transmetimi. Pra është prodhuar në datën 12 janar, ndërkohë që transmetimi është bërë në datën 11 janar”.
Seanca e djeshme gjyqësore, vijoi më tej përgjigjet e ekspertëve ndaj pyetjeve të prokurorisë dhe avokatëve, të bëra një seancë më parë.
Edhe në përgjigjet e djeshme, sikurse edhe në konkluzionet e paraqitura më herët në gjykatë, ekspertët, ripërsëritën përfundimin e tyre pas kësaj ekspertize, sipas të cilëve në audion Meta-Prifti ka pasur ndërhyrje dhe se në kamerën e orës, ku dyshohej se ishte regjistruar biseda ka pasur ndërhyrje duke futur imazhe të tjera. Ekspertët kanë pohuar se në lap-topin ku kanë ka qenë një folder me emrin Dritan Prifti është ndërhyrë për herë të fundit në datën 11 shkurt 2011, kur dhe ai ka qenë i sekuestruar në prokurori.
Ndërkohë, pas seancës së djeshme, Gjykata e Lartë, do të vijojë procesin ndaj Ilir Metës me pyetjen e dëshmitareve të akuzës.
Ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme, pas transmetimit në media të video-s, ku ai shfaqej me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të kësaj ministrie. Meta e ka cilësuar videon si një montazh me qëllim dëmtimin e imazhit të tij në publik, përkundër deklarimeve të ish-ministrit Prifti, se video e realizuar prej tij është origjinale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›