Kryeministri Berisha: Jemi të hapur për negociata dhe dialog në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh se mazhoranca mbetet tërësisht e hapur dhe ndan të njëjtin mendim se negociatat dhe dialogu janë të domosdoshëm dhe shumë të rëndësishëm në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Kryeministri bëri të ditur se Partia Demokratike ka ngarkuar 2 përfaqësues të saj, Zëvendëskryeministrin Gazmend Oketa dhe zotin Astrit Patozi, që të nisin menjëherë kontaktet me të gjithë përfaqësuesit e forcave politike parlamentare. "Mendoj se Zëvendëskryeministri Oketa dhe zoti Astrit Patozi janë përzgjedhja për të na përfaqësuar, sikundër mbetem i gatshëm dhe i hapur që në çdo rast të jem pjesëmarrës, pasi nuk kam asnjë qëllim tjetër përveç zgjidhjes së kësaj çështjeje konform përpjekjeve të përbashkëta, ligjeve dhe vullnetit serioz të shprehur nga të gjitha palët", tha Kryeministri Berisha.
Duke nënvizuar se është shumë e rëndësishme të arrihet konsensusi më i gjerë i mundshëm për këtë çështje, Kryeministri tha se kryesia e Parlamentit, me kërkesë të opozitës, ka miratuar datën 20 qershor si datën e votimit të parë në parlament për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kjo kërkesë, tha Kryeministri, ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Parlamentit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Ne nisim një javë pune intensive. Siç është bërë e ditur, kryesia e Parlamentit, me kërkesë të opozitës, ka miratuar datën 20 qershor si datën e votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në vlerësimin tim, kjo ka qenë një kërkesë në përputhje me Kushtetutën dhe me rregulloren e Parlamentit. Mbi këtë bazë është marrë dhe vendimi i kryesisë së Parlamentit për të caktuar datën dhe seancën parlamentare. Më pas opozita, ose të paktën Partia Socialiste, shprehu rezervat e saj për këtë datë, e cila është votuar me konsensus të plotë në Parlament. Mendoj se shtytjet janë të panevojshme, të padobishme dhe nuk është në interes që palët në këtë proces të shtyjnë njëra- tjetrën, por të punojnë për t'i dhënë zgjidhjen më të mirë këtij problemi.
Zgjidhjet janë të shumta dhe ne jemi të hapur dhe të qartë për këtë. Ne biem të gjithë dakord që negociatat, dialogu, janë të domosdoshme dhe janë elementë kryesorë, shumë të rëndësishëm, të këtij procesi.
Caktimi i datës 20 është votuar nga Parlamenti. Koha kushton, ndaj kemi menduar të ngarkojmë 2 përfaqësues tanët që të fillojnë që sot kontaktet me të gjithë përfaqësuesit e forcave politike parlamentare. Mendoj se Zëvendëskryeministri Oketa dhe zoti Astrit Patozi janë përzgjedhja e duhur për të na përfaqësuar, sikundër mbetem i gatshëm dhe i hapur që në çdo rast të jem pjesëmarrës, sepse nuk kam asnjë qëllim tjetër përveç zgjidhjes së kësaj çështjeje konform përpjekjeve të përbashkëta, ligjeve dhe Kushtetutës, vullnetit serioz të shprehur nga të gjitha palët. Këtë vullnet unë e marr të mirëfilltë dhe jo të shtirur.
Gjykoj se zoti Oketa dhe zoti Patozi, që sot pasdite, janë të autorizuar të kontaktojnë me të gjitha palët, të nisin dialogun për këtë proces shumë të rëndësishëm siç është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Opsionet janë të njohura, kandidaturat e paraqitura nga palët janë të njohura. Koalicioni ynë i ka shprehur besimin kandidaturës së zotit Topi. Në këtë drejtim, mund t'ju them se kam pasur një takim me aleatët e koalicionit dhe ata kanë qenë në një mendim për mbështetjen e kandidaturës së zotit Topi, sikundër dhe për zgjedhje konsensuale. Por vlerësimi më pozitiv ka qenë për kandidaturën e zotit Topi.
Ka variante dhe opsione të ndryshme. Ajo çka ne duhet t'i përmbahemi me ndershmëri dhe përkushtim është konsensusi më i gjerë i mundshëm. Kjo kërkohet nga ne. Më duhet sërish të theksoj se në përpjekjen tonë në procesin e integrimit, zgjidhja demokratike, kushtetuese, ligjore e problemeve është një test i madh para shqiptarëve në radhë të parë, të cilët e vleresojne si nje proces shumë të rëndësishëm për veten dhe për fëmijët e tyre, por edhe para komunitetit ndërkombëtar ku ne duam të integrohemi"