E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me kryeministrin Erdogan

Në ditën e parë të vizitës në Turqi, Kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan. Më pas, u zhvilluan bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve, të kryesuara nga dy kryeministrat. Pas takimit mes tyre, kryeministri Berisha dhe Erdogan iu përgjigjën interesimit të medias.

Duke i uruar Kryeministrit Berisha mirëseardhjen, Kryeministri Erdogan u shpreh se midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk ka asnjë problem politik. Ai theksoi se "mbi të gjitha për shumë çështje ndajmë të njëjtat mendime. Madje kemi mendime plotësuese edhe mbi nevojën e rritjes së shkëmbimeve ekonomike tregtare, pasi vëllimi 150 milionë dollarësh nuk është i mjaftueshëm. Vizita e kryeministrit Berisha në Ankara, është e një rëndësie e veçantë, pasi ai shoqërohet edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë."

Kryeministri Erdogan shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ai theksoi se ne ju kemi mbështetur dhe do vazhdojmë t'ju mbështesim pa rezerva. Këtë e kemi bërë me lobingje dhe këto lobingje do të vazhdojnë edhe më tej. Zoti Erdogan theksoi se është NATO ajo që përfiton nga anëtarësia e Shqipërisë në Aleancë, duke vlerësuar maksimalisht rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Ndërsa Kryeministri Berisha, ndër të tjera, bëri këto komente:

"Më lejoni të falenderoj Kyeministrin turk, zotin Erdogan për mikëpritjen vëllazërore që më rezervoi mua dhe delegacionit. Populli shqiptar dhe qeveria shqiptare janë shumë të kënaqur nga reformat e ndërmarra nga Kryeministri Erdogan dhe qeveria e tij.

Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë marrëdhënie të shkëlqyera. Ato kanë një bazë të gjërë dhe lidhje të shumëllojta qëndrojnë në themelin e tyre. Mendoj se vizioni evropian i dy vendeve tona, përpjekja për një të ardhme të përbashkët në Evropë, është horizonti më i shkëlqyer i këtyre marrëdhënieve.

Turqia i ka dhënë një ndihmë të çmuar e të gjithanshme Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Ndihmë, e cila ka përfshirë të gjitha fushat. Marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë të shkëlqyra. Të tilla janë edhe marrëdhëniet ushtarake, marrëdhëniet e bashkëpunimit të agjencive të zbatimit të ligjit. Gjitashhtu marrëdhëniet ekonomike po njohin intensifikim të vazhdueshëm. Në diskutimet që pata me Kryeministrin dhe ministrat e pranishëm diskutuam për mënyrat dhe mundësitë e zgjerimit të këtyre marrëdhenieve. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, që pritet të finalizohet së afërmi, do të rrisë me shpejtësi vëllimin e shkëmbimeve tregtare. Investitorë seriozë turq ndodhen në Shqipëri. Unë e njoha Kryeministrin me revolucionin fiskal që ka ndërmarrë qeveria ime, i cili ka si qëllim final Shqipëria vendi me taksa më të ulta në Evropë dhe me taksë të sheshtë. Sikundër e njoha dhe me nismën e fundit "Shqipëri një euro", me të cilën ne synojmë të dëshmojmë apo t'u dërgojmë një apel investitorëve shqiptarë dhe të huaj të investojnë në Shqipëri, sepse ne do të përpiqemi ta bëjmë atë vendin më të lirë.

Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, të arsimit dhe në mënyrë të veçantë për problemet e energjisë. Kryeministri Erdogan më siguroi se do të përdorë ndikimin e tij në mënyrë që projektet e mëdha të gazit, që kalojnë nga Ballkani drejt Evropës, të përfshijnë dhe Shqipërinë.

Diskutuam për zhvillimet në rajonin e Ballkanit. Ne jemi të mendimit se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës është një kusht për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo është e domosdoshme. Sikundër zgjidhja e këtij statusi në përputhje me vullnetin e shumicës për pavarësi kërkon respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të minoriteve në Kosovë. Pra, një Kosovë të qytetarëve të lirë e të barabartë përpara ligjit. E njoha Kryeministrin me vizitën timë të fundit në Kosovës, ku takova përfaqësues të të gjitha komuniteteve serb, turq, malazes, boshnjakë, romë. Përshtypja ime ishte se ata donin të jetonin sëbashku. Dhe ne të gjithë duam t'i ndihmojmë që të jetojnë sëbashku.

Kam ndjekur me interes zhvillimet në Qipro, referendumin, por unë jam i bindur se në rast se ishte një shans i humbur, një shans tjetër mund të krijohet dhe për këtë diplomacia evropiane dhe ndërkombëtare është e angazhuar. Sikundër kam bindjen se Kryeministri Erdogan dhe qeveria e tij do të japin ndihmesën e tyre të qartë e të sigurtë.

Shpreh kënaqësinë që Kryeministri pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe e siguroj se do të pritet në mënyrë shumë miqësore."

Në lidhje me çështjen e Albtelekom, Kryeministri Berisha theksoi:

"Ne u ndalëm gjërësisht edhe në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e energjisë, infrastrukturës, privatizimeve dhe finalizimin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Qeveritarët janë inkurajues, kontratat i nënshkruajnë biznesmenët. Ne përpiqemi t'i shërbejmë atyre, t'i lehtësojmë ata sa më shumë me atë që kemi në dorë.

Të gjitha problemet janë diskutuar, përfshirë dhe Telekomin. Unë e informova kryeministrin Erdogan se kompania e konsulencës ndërkombëtare ka mbaruar ekspertizën e saj. Sipas gjykimit të ekspertëve mbi këtë ekspertizë, kontrata ekzistuese ka nevojë të rishqyrtohet në nene të caktuara. Jam informuar se zoti AhmetÇalik ka treguar vullnet të plotë të angazhohet në rinegociimin e kontratës dhe unë jam optimist në rezultatin e këtyre negociatave. Negociatat janë çështje të kompanisëÇalik dhe Telekomit. Jam në dijeni se ekziston vullneti i përbashkët për t'i shqyrtuar problemet që mbeten për t'u zgjidhur."

Në mesditë, Kryeministri Erdogan shtroi një dreke për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëron.

Ndërsa Zonja Berisha, e shoqëruar nga Zonja Erdogan, vizitoi qendrën spitalore ushtarake të Ankarasë, ku, ndër të tjera, kurohen dhe pacientë shqiptarë dhe u njoh nga afër me punën e ekipit mjeksor të këtij spitali. Më pas, zonja Berisha dhe zonja Erdogan vizituan disa qendra historike, në Ankara.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›