Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të Durrësit

“Së pari, dua të përulem me nderim dhe mirënjohje të thellë para jush, për mbështetjen e madhe që Durrësi blu i dha kësaj mazhorance, mbështetje të cilën të gjithë së bashku në katër vite e shndërruam në ndërtimin e ëndrrave tona më të bukura; Durrësi në NATO, Shqipëria në NATO.
Në katër vite, në përpjekjen tonë të përbashkët ne ia dolëm të fitojmë besimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në katër vite me përpjekjen tonë të përbashkët ne ia dolëm, duke shembur murin e krimit dhe korrupsionit, ta bëjmë Shqipërinë më të besueshme se kurrë në historinë e saj. Për Durrësin, për Shqipërinë votuan në parlamentet e tyre 27 vende anëtare të Bashkimit Europian, 26 vende anëtare të NATO-s. Për Durrësin, për Shqipërinë erdhi në një vizitë historike Presidenti i SHBA-ve George Bush.
Ne së bashku bëmë që në katër vjet Shqipëria të renditet më e mira në Ballkan dhe në 10 -shen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. Ne së bashku bëmë që Shqipëria të renditet e dyta në botë për klimën e biznesit, ne së bashku bëmë që Shqipëria të lërë mbrapa 126 vende të planetit. Çdo vlerësim që ne e kemi marrë e kemi në sajë të djersës, mundit, punës tonë.
Ne u bëmë të besueshëm për mbarë botën, për Evropën sepse ne shtypëm më forcën e ligjit krimin e organizuar dhe arritëm që të kemi në Shqipëri treguesit e një vendi më të sigurt në rajon.
Ne u bëmë të besueshëm për Europën dhe botën, sepse ne, me luftën tonë kundër korrupsionit, ne ia dolëm të shpëtojmë në katër vite 5 miliardë dollarë nga kthetrat e tij.
Ne u bëmë të besueshëm sepse ne, si asnjë vend tjetër në Europë, në kulmin e krizës ekonomike shënuam vjet rritjen ekonomike më të madhe në Europë. Ne u bëmë të besueshëm sepse ne edhe në këtë vit qëndrojmë në krye të Europës për rritjen ekonomike.
Ne u bëmë të besueshëm sepse, si asnjë vend tjetër, dyfishuam pensionet në fshat dhe i rritëm me 50-70-% ato në qytet, dyfishuam rrogat e arsimtarëve, infermierëve, mjekëve. Ne u bëmë të besueshëm sepse Durrësin, Vlorën, Sarandën, Shëngjinin vjet i kanë vizituar 2.7 milionë turistë kundrejt 300 mijë në vitin 2004.
Ne u bëmë të besueshëm sepse ne së bashku u faktuam miqve tanë se ne po e ndërtojmë me shpejtësi këtë vend.
Vëllezër dhe motra,
Vetëm në rrethin e Kavajës dhe Shijakut ne kemi asfaltuar 200 km rrugë. Ne u bëmë të besueshëm sepse në këto katër vite asfaltuam, ndërtuam dhe rindërtuam në këtë vend, jo 1 mijë apo 2 mijë, por afërsisht 6 mijë km rrugë. Në u bëmë të besueshëm dhe e meritojmë besimin, sepse ne po ndërtojmë korridorin më të fuqishëm të rajonit, korridorin qe lidh Durrësin, Vlorën, ujërat më të rëndësishme të Ballkanit.
Katër vite më parë, ne së bashku e nisëm këtë rrugë në një kohë kur vendin e mbizotëronte krimi, në një kohë kur vendin e mbizotëronte korrupsioni, në një kohë kur Shqipërisë një fjalë të mirë askush nuk ia thoshte. Por sot ne nisim mandatin e dytë si anëtarë të NATO-s, si vend që kemi paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE dhe si vend me lëvizje të lirë.
Vendi juaj është sot vend lider në Ballkan për thithjen e investimeve të huaja, 5.6 miliardë euro investime, janë firmosur vetëm 6 muajt e fundit. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se në katër vitet që do të vijnë Durrësi evropian, Shqipëria evropiane do të jetë vepra jonë e përbashkët. Për mua Durrësi evropian dhe Shqipëria evropiane do të thotë para së gjithash qytetarët shqiptarë të punësuar, pensionistë shqiptarë të mirëpaguar, të rinj shqiptarë të mirëshkolluar, rrugët e Shqipërisë të gjitha të asfaltuara, do të thotë ujë 24 orë, do të thotë Shqipëria superfuqi e vogël energjetike, do të thotë që ne shqiptarët, që nisëm këtë rrugë 18 vite më parë me rrogat nga 4-6 dollarë në ditë, pas katër vitesh të parakalojmë 6 vende anëtare të BE-së.
Në katër vite jua garantoj se për Durrësin, për Shqipërinë do të investojmë së paku 8 herë më shumë se sa është investuar katër vitet që shkuan.
Së bashku le të shkojmë të votojmë në 28 qershor, të marrim pjesë të gjithë në votime. Të votoni për Ferdinand Xhaferrin, të votoni për Albana Vokshin, të votoni për Gazmend Oketën, për Eduart Halimin, Liljana Kolën, Ylli Lamën dhe të gjithë kandidatët për deputet të Durrësit.
Vota e Durrësit është votë për Durrësin europian, për Shqipërinë evropiane”.
28/05/2009