E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me të rinj të komunave Farkë, Baldushk, Petrelë dhe Bërzhitë, ku 500 të rinj u anëtarësuan sot në Partinë Demokratike

Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, u takua dhe u shpërndau sot kartat e anëtarësimit 500 të rejave dhe të rinjve nga komunat Farkë, Baldushk, Petrelë dhe Bërzhitë, komuna përreth Tiranës, të cilët bëhen kështu anëtarët më të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në këtë ceremoni përshëndetën disa nga të rinjtë, shumë prej të cilëve votojnë për herë të parë në 23 qershor. Ndërsa shprehën entuziazmin për vendimin që kishin marrë, për t’u anëtarësuar në Partinë Demokratike, ata ftuan të gjithë bashkëmoshatarët e tyre të votojnë për Partinë Demokratike pasi besojnë te Kryeministri Berisha, besojnë te Partia Demokratike dhe te programi i saj.

Kryeministri Berisha i ftoi këta të rinj dhe mbarë rininë shqiptare që në 23 qershor të votojnë 44-ën, të votojnë Partinë Demokratike, pasi kështu ata votojnë për një shkollim më të mirë, votojnë për punësim dhe për integrimin evropian.

“Anëtarësimi juaj sot në Partinë Demokratike, - tha Kryeministri Berisha, -  është një inkurajim i madh, është frymëzim për Partinë Demokratike dhe projektin e saj”.

Përshëndetja e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoni:

 “Të dashur të reja dhe të rinj të komunave Farkë, Baldushk, Petrelë, Bërzhitë,

ju përqafoj të gjithëve dhe përulem me nderim të madh para vendimit tuaj politik, vendim historik në jetën tuaj, për tu rreshtuar në këtë forcë politike, e cila këto 20 vite në përpjekjet e saj për liri dhe dinjitet, së bashku me shqiptarët, ka firmosur në të gjitha aktet madhore të historisë së këtij kombi dhe në të gjitha aktet transformuese e të gjithanshme. Ju me vendimin që morët sot, në mesin e betejës elektorale, betejës së fitores, dëshmoni se vizioni, parimet dhe liria është pasioni juaj, se vlerat janë ato të cilat vendosni të mbroni, lirinë, familjen, vendin, punën e të ardhmen.

Ndaj unë ju përgëzoj shumë përzemërsisht, por më lejoni të përshëndes shumë përzemërsisht edhe prindërit, vëllezërit dhe motrat tuaja, të përshëndes gjyshërit tuaj dhe tu premtoj atyre se katër vitet që vijnë pensionet do t’ua bëjmë dixhitale, sepse ne jemi gjeneratë tjetër. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të lundroni në Shqipërinë dixhitale, në Shqipërinë e teknologjisë më të lartë.

Anëtarësimi juaj sot në Partinë Demokratike është një inkurajim i madh, është frymëzim për Partinë Demokratike dhe projektin e saj. Projekti i Partisë Demokratike është projekti i Shqipërisë evropiane, i të ardhmes tuaj evropiane, i ëndrrës tuaj evropiane.

Në këtë fushatë elektorale përballen dy alternativa: alternativa e lirisë dhe vlerave të saj, alternativa e besimit tek liria e individit, alternativa e vokacionit tonë perëndimor, e integrimit të Shqipërisë në Evropë edhe alternativa tjetër e cila është  alternativa e shpifjes, alternativa e mashtrimit, alternativa e bllokimit.

Ju ftoj të bëni çdo përpjekje me çdo të ri, mik, shok, vëlla, motër dhe cilido qoftë që të bashkohet me ju, të bashkohet me fitoren, të bashkohet me shkollimin tuaj, të bashkohet me punësimin tuaj, të bashkohet me rrugën e integrimit.

Alternativa tjetër është alternativa e cila ka kundërshtuar çdo akt, çdo përpjekje të prindërve tuaj dhe të shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për anëtarësim në NATO.

Ju ftoj që me dy gishtërinj të shënoni fitoren, krenarë, sepse 20 vjet më parë me këta dy gishtërinj përpjetë dhe me qëndrimin pas tyre ne përmbysëm diktaturën më të egër në Evropë, përmbysëm regjimin e etërve të Edi Ramës. Me këta dy gishtërinj përpjetë ne anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Evropës, shndërruam shqiptarët në pronarë, rritëm ekonominë shqiptarë 12 herë. Me këta dy gishtërinj përpjetë ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe gishtërinjtë tanë nuk do të ulen kurrë.

20 vjet më parë Ramiz Alia do t’u thoshte shqiptarëve se dy gishtërinjtë përpjektë të Sali Berishës janë bajoneta në sytë e shqiptarëve. Pas 20 vjetësh, Edi Rama, ky neobllokmen, deklaroi në Vlorë se dy gishtërinjtë e Sali Berishës janë bajonetat që u ka ngulur në sy shqiptarëve. Por le ta lëmë shokun Rama në autobusin e tij mavi, ku gishtërinjtë tuaj i duken bajoneta, trikoja ime i duket parzmore. Nesër, stilografi im do t’i duket shpatë. Vuan, nuk kemi ç’t’i bëjmë.

Ne, të ecim përpara!

Përpara për shkollim më të mirë tuajin!

Përpara për punësimin!

Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se qeveria në 4 vitet që vijnë do të trefishojë grantet për të gjithë fermerët e komunave tuaja. Qeveria do të ndërtojë sistemin më të shkëlqyer të vaditjes për fermerët e këtyre komunave, nga Skurrana e burime të tjera. Qeveria do të rivitalizojë infrastrukturën për Kështjellën e Persjopit dhe Shpellën e Pëllumbasit. Në këto territore do të gjejmë hapësira për të ngritur një nga parqet teknologjike më të mëdha të rajonit, ku do të punësohen mijëra prej jush, në punët më të kërkuara. Komunat tuaja do t’i shndërrojmë në gjeneratorë të punësimit të banorëve të tyre, por edhe të banorëve të Tiranës dhe shqiptarëve në tërësi.

Ndaj dhe në 23 qershor votoni 44-ën, votoni Partinë Demokratike, votoni për shkollimin tuaj më të mirë, votoni për punësimin tuaj, për integrimin tuaj, të komunave të Tiranës, të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Fitore! Fitore! Fitore!”


03/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›