E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mori pjesë në Takimin e 19-të vjetor të BERZH të zhvilluar në Kroaci

- BERZH është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve ka investuar më shumë se gjysmë miliardi euro në Shqipëri. Kërkova gjithashtu që BERZH të financojë edhe në projekte të tjera, veçanërisht në parqe industriale dhe në sektorët të cilët krijojnë punësim të madh.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Takimin e 19-të vjetor të BERZH të zhvilluar në Zagreb, Kroaci. Në këtë takim të rëndësishëm morën pjesë rreth mbi 2000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët diskutuan mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe komunikimit mes vendeve pjesëmarrëse.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, lidhur me zhvillimin e këtij aktiviteti, si dhe përfaqësimin e Shqipërisë, kryeministri Berisha u shpreh:

Ky takim i organizuar nga kryeministrja e Kroacisë, zonja Kosor dhe presidenti i BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) Mirow, në kuadrin e takimit vjetor të BERZH, diskutoi gjerësisht problemet e zhvillimeve ekonomike në rajon. Takimi përfshin të gjithë zonën e BERZH, Evropën dhe më gjerë si anëtarësi, por ishte nj rast vërtetë i veçantë, pasi ky takim organizohej në Kroaci, pra në rajonin tonë. Sapo përfundoi takimi që u zhvillua në formën e një dreke pune, ku të gjithë pjesëmarrësit paraqitën vlerësimet e tyre mbi zhvillimet ekonomike të vendeve të tyre dhe në rajon, theksuan problemet kryesore apo pikat mbi të cilat kanë bashkëpunuar dhe do të vazhdojnë bashkëpunim me BERZH. Unë njoha të pranishmit me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare për të parandaluar ose për të zvogëluar, pasojat e një krize globale të paprecedentë, që nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar. Unë informova të pranishmit se disa nga pasojat e shfaqura nga fundi i viti 2008 gjer në vitin 2009, tani po zhduken tërësisht ose janë në zhdukje e sipër. Kështu, Shqipëria ka një dyfishim, madje mbi dyfishim të eksporteve të prodhuara në Shqipëri dhe mund të them këtu se një nga këshillat kryesore është që këto vende duhet të nxisin prodhimin, si një mbrojtje ndaj krizës. I njoha gjithashtu me situatën e sistemit bankar shqiptar. Eshtë një situatë realisht, qartësisht pozitive, bankat tona janë plotësisht likuide, raporti kredi dhe depozita është 0.6 për qind, pra jo më shumë se 60 për qind e depozitave janë kredituar, çka do të thotë se është një ndër raportet më të mira; i njoha me situatën e ardhjes të të ardhurve.
Duke theksuar këtë unë shtrova disa probleme. Problemi i parë duhet të ndihmohet për projekte rajonale, siç është korridori aziatik-jonian, korridori i 8, mbi gazsjellësit e mëdhenj dhe projektet e tjera, të cilat i bëjnë shkëmbimet rajonale, shumë më të mundshme. Së dyti kërkova që të intensifikohen kreditë e BERZH për sektorin privat. BERZH është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve ka investuar më shumë se gjysmë miliardi euro në Shqipëri, ndër të cilat ka arritur të mobilizojë edhe 1.5 miliardë euro të tjera nga faktorë të tjerë. Por në këtë periudhë është shumë e domosdoshme financimi i sektorit privat. Kërkova gjithashtu që BERZH të financojë edhe në projekte të tjera, veçanërisht në parqe industriale dhe në sektorët të cilët krijojnë punësim të madh.

Mendoj se nga ky takim konstatova një frymë optimiste, natyrisht vendet pjesëmarrëse këtu kanë qenë shumë më të prekur se Shqipëria nga pasojat e krizës apo direkt nga kriza. Në tërësi dominuan lajmet pozitive, në tërësi dominoi optimizmi, pasi edhe ato që kanë qenë me rritje minus, këtë vit mund të shënojnë një rritje sado të vogël pozitive 0.5 për qind, apo 1 për qind dhe se një rritje të madhe do të presin për vitin e ardhshëm. Kështu që, samiti ishte një samit shumë i rëndësishëm, pasi BERZH kishte përzgjedhur rajonin tonë, Ballkanin, si një rajon të përqendrimit të vëmendjes së saj maksimale.


14/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›