E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në Pekin me ekipin olimpik shqiptar dhe i uron suksese në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”

-          “Ju përfaqësoni vlerat dhe fisnikërinë më të lartë të Shqipërisë në sport, duke qenë kështu burim frymëzimi për brezat e rinj.”

Në vijim të vizitës së tij në Kinë me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike, Kryeministri Berisha u takua sot me ekipin olimpik që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto lojëra dhe stafin e trajnerëve dhe atë organizativ që e shoqëron.

 

Në këtë pritje, që u zhvillua në një atmosferë shumë të ngrohtë në selinë e Ambasadës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, nën kujdesin e veçantë të Ambasadorit, zotit Maxhun Peka, mori pjesë edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, si dhe një përfaqësi e gjerë e komunitetit shqiptar me banim në Kinë.

Kryeministri Berisha, duke përshëndetur ekipin e sportistëve, theksoi se sytë e mbarë Shqipërisë janë tek performanca dhe rezultatet e tyre në sportet ku ata garojnë, ashtu si edhe sytë e mbarë botës janë në Olimpiadë. “Olimpiadat,  - u shpreh Kryeministri - kanë rëndësi të veçantë, sepse janë përfaqësi e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes popujve të ndryshëm.”

Ekipi olimpik shqiptar, edhe pse modest me 11 sportistë, është ekipi më i madh në numër që ka përfaqësuar ndonjëherë Shqipërinë në kompeticione të këtij niveli. Kryeministri shprehu besimin se rezultatet e tyre do të jenë shumë të mira, edhe sepse në këtë ekip marrin pjesë sportistë dhe sportiste me shumë eksperiencë, të cilët kanë arritur rezultate të larta në nivel europian e botëror. “Ju përfaqësoni vlerat dhe fisnikërinë më të lartë të Shqipërisë në sport, duke qenë kështu burim frymëzimi për brezat e rinj,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri garantoi edhe një herë mbështetjen e pakufizuar dhe të balancuar të qeverisë shqiptare për të gjitha llojet e sporteve, me qëllim arritjen e rezultateve sa më të mira.

Kryeministri Berisha u bëri me dije sportistëve se do t’i vizitonte edhe në fshatin olimpik, aty ku ata stërviten.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›