Kryeministri Berisha takon në Pekin, Presidentin e Vietnamit Nguyen Minh Triet
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në një vizitë disaditore në Kinë, zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor me Presidentin e Republikës Socialiste të Vietnamit, Nguyen Minh Triet.
Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Triet falënderimet e tij për ftesën për këtë takim, si dhe kënaqësinë se marrëdhëniet miqësore midis dy popujve dhe dy qeverive po njohin një nivel të ri bashkëpunimi dhe po ripërtërihen me një panoramë të re vlerësimi të ndërsjellë.
Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Triet se ai do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy popujve dhe të dy kombeve, veçanërisht në fusha zhvillimi me rëndësi për dy vendet si në ekonomi, politikë, kulturë etj..
Dy personalitetet e larta u shprehën se Vietnami dhe Shqipëria janë dy vende mike dhe se ka një kënaqësi të sinqertë për progresin e madh ekonomik që këto dy vende kanë njohur në vitet e fundit.
Presidenti i Vietnamit shprehu vlerësim e tij më të lartë për arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat e zhvillimit dhe kërkoi nga Kryeministri Berisha që bashkëpunimi të jetë sa më i gjerë, veçanërisht në fushën ekonomike.
Lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare po vlerëson mundësinë e hapjes së Misionit Diplomatik në Hanoi, me qëllim ngritjen e marrëdhënieve mes vendeve në nivelin më të lartë.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin me zhvillimet në rajon, duke u ndalur në stadin e ri të paqes dhe stabilitetit dhe frymës integruese që Ballkani po jeton. Biseda u përqendrua veçanërisht në pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Triet me progresin e shtetit të ri, të njohur në një kohë të shkurtër nga 44 vende, të cilat, vijoi kryeministri nuk e kanë njohur atë për të ndëshkuar Serbinë, por sepse kanë parë tek pavarësia e Kosovës bindjen se kjo është mënyra e vetme për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kryeministri Berisha theksoi se Kosova sot sheh drejt integrimit dhe marrëdhënieve ndër rajonale me një optimizëm të ri.
Presidenti Triet e ftoi Kryeministrin Berisha që të vizitojë së shpejti Vietnamin, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha ftoi Presidentin Triet dhe Kryeministrin e Vietnamit që të vizitojnë Shqipërinë.