Kryeministri Berisha takon Ministrin e Shtetit në Ministrinë e jashtme Britanike, Dr. Kim Howell
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi nje drekë pune me Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Britanike, Dr. Kim Howell. Kryeministri Berisha e njohu z. Howell me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe nismat konkrete për rivendosjen dhe funksionimin e ligjit në Shqipëri, veçanërisht me rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zoti Berisha theksoi se arritjet në këtë drejtim janë shumë pozitive dhe qeveria është e vendosur të vazhdojë me tolerancë zero ndaj këtyre fenomeneve. Kryeministri përmendi edhe rezultatet konkrete për çlirimin e administratës nga konflikti i interesit, luftën kundër nepotizmit. Po ashtu, zoti Berisha theksoi se edhe perceptimi i publikut për nivelin e korrupsionit në vend është ulur.
Gjithashtu, Kryeministri e informoi zotin Howell për përpjekjet e qeverisë për krjimin e një klime të përshtatshme për zhvillimin e sektorit privat dhe biznesit. Në këtë drejtim, zoti Berisha u përqëndrua në reformat e qeverisë për uljen e taksave, përmirësimin e administrimit tatimor dhe zvogëlimin e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi.
Ministri britanik vlerësoi si shumë pozitive dhe inkurajuese arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit, duke theksuar se këto përpjekje duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ai shprehu mbështetjen e qeverisë britanike për të gjitha reformat e ndërrmara nga qeveria shqiptare.
Kryeministri Berisha Ministri britanik Howell diskutuan dhe për nxitjen e investimeve britanike në Shqipëri.