VENDIM PER LEJIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË RRUGËVE TË PËRDORË PROCEDURAT E PROKURIMIT TË BANKËS BOTËRORE, PËR OBJEKTET “STUDIMI I PARAFIZIBILITETIT TË BOSHTIT QENDROR-JUGOR” DHE “SUPERVIZION I PUNIMEVE TË NDËRTIMIT TË RRUGËS KALIMASH-KUKËS-
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË RRUGËVE TË PËRDORË PROCEDURAT E PROKURIMIT TË BANKËS BOTËRORE, PËR OBJEKTET “STUDIMI I PARAFIZIBILITETIT TË BOSHTIT QENDROR-JUGOR” DHE “SUPERVIZION I PUNIMEVE TË NDËRTIMIT TË RRUGËS KALIMASH-KUKËS-MORINË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 dhe 17, pika 5, të ligjit nr.7971, datë 26.7.1995, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurat e prokurimit të Bankës Botërore, “Zgjedhja dhe punësimi i konsulentëve të huamarrësve të Bankës Botërore, publikuar në maj të vitit 2004, duke përdorur metodën e analizës së cilësisë dhe kostos (QCBS)”, për objektet si më poshtë vijon:
a)“Studimi i parafizibilitetit të boshtit Qendror- Jugor, me vlerë të plotë 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë, nga të cilat: 4 000 000 (katër milionë) lekë janë programuar në buxhetin e vitit 2006, zëri “Studim- projektime”, ndërsa diferenca të programohet në buxhetin shtesë, të vitit 2006, për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në zbatim të nenit 12, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”.
b)“Supervizioni i punimeve të ndërtimit të rrugës Kalimash-Kukës-Morinë”, me vlerë të plotë 160 000 000 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë) lekë. Financimi të bëhet në përputhje me ecurinë e investimeve.
Studimi i parafizibilitetit të boshtit Qendror-Jugor të përfundojë brenda vitit 2006.
Kohëzgjatja e supervizionit të punimeve të ndërtimit të rrugës Kalimash-Kukës-Morinë të jetë në varësi të kontratave të punimeve të ndërtimit.
Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA