E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kreun e Prezencës së OSBE-së, Ambasadorin Eugen Volfart

19 janar 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim pune me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Volfart, në kuadër të zhvillimeve më të fundit politike në vend, si dhe të realizmit të reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryetari Shtetit, Bamir Topi theksoi në këtë takim “domosdoshmërinë për dialog konstruktiv ndërpartiak, konsensus e komunikim funksional institucional të të gjithë faktorëve e aktorëve politikë në vend, duke vënë në dukje nevojën e realizimit të reformës zgjedhore, të asaj në drejtësi, sidomos miratimit të Gjykatës Administrative në mënyrë që të përmbushen të gjitha kriteret e rëndësishme të një vendi demokratik që synon integrimin zyrtar në familjen evropiane”.

Kreu i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Volfart i shprehu Presidentit Topi mbështetjen e mëtejshme e të palëkundur për ushtrimin e mandatit të tij në respekt të Kushtetutës e ligjeve në fuqi, duke vënë njëkohësisht në pah rëndësinë që të gjitha palët duhet të shënojnë përparim konstruktiv me reformën zgjedhore dhe reformat e tjera të nevojshme që i shërbejnë interesave madhore të popullit shqiptar.

Presidenti i Republikës dhe Ambasadori i OSBE-së ndanë të njëjtat mendime për rëndësinë e bashkëpunimit politik institucional mes palëve, në mënyrë që të zbatohen standardet perëndimore të drejtësisë e të demokracisë dhe të arrihen rezultatet e duhura në funksion të realizimit të të gjitha aspiratave madhore të shtetasve shqiptarë dhe Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›