E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Letrat me vlerë do të shfrytëzohen për 80 për qind të vlerës së legalizimit

Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim me banorë të komunave të Farkës, të Petrelës, të Bërzhitës dhe Dajtit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Farkës, të Petrelës, të Bërzhitës dhe Dajtit,

Përshëndetje vëllazërore për të gjithë ju. Unë vij këtu për t’ju sjellë frymën e fitores së madhe, të fitores së shkëlqyer të 28 qershorit. Vij, gjithashtu, sot këtu për t’ju bërë thirrje që të votojmë së bashku më 28 qershor për të ndryshuar Bërzhitën, për të ndryshuar Petrelën dhe për Dajtin evropian.

Jam sot për t’u zotuar para jush se në katër vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo metër të rrugëve dhe rrugicave të komunave tuaja, do të furnizojmë me ujë 24 orë çdo shtëpi të këtyre komunave dhe mbarë Shqipërisë. Ne do të barazojmë pensionet tuaja me ato të qytetit dhe do t’i rrisim ato më shumë se në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Ju premtoj se procesi i legalizimit po ecën me ritmet më të shpejta. Qeveria ime çdo javë po legalizon jo më pak se pesë mijë banesa. Atyre që vijnë sot tek ju dhe derdhin lot krokodili u shtroni pyetjen, pse e çuat ligjin në Gjykatën Kushtetuese? U shtroni pyetjen armiqve të legalizimit, pse votuat në Parlament kundër legalizimit? Pyetini, pse e denoncuat përdorimin e letrave me vlerë në procesin e legalizimit?

Unë jam sot për t’ju garantuar se legalizimi, pas një vonese të madhe nga autoritetet qeveritare vendore të Tiranës, të cilët bënë çdo gjë për të penguar këtë proces dhe çuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese, tani po ecën me shpejtësinë më të madhe dhe letrat me vlerë do të shfrytëzohen për 80 për qind të vlerës së legalizimit.

Shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje ju banorëve të komunave të Tiranës që të mbillni sa më shumë ullinj. Ulliri juaj është ndër më të mirët në botë. Unë ju garantoj se do të financojmë çdo rrënjë ulliri që ju do të mbillni në tokën tuaj, do të financojmë çdo projekt që ju do të sillni për rritjen e prodhimeve, do të financojmë çdo projekt që ju do të bëni për përpunimin e prodhimeve tuaja, do të subvencionojmë akcizën e naftës dhe të gjithë inputet për sipërfaqet e mbjella.

Ndaj dhe fermerët e këtyre zonave dhe të mbarë Shqipërisë, më 28 qershor votojnë për pensionet e tyre, votojnë për fermat e tyre, votojnë për mbështetjen e qeverisë ndaj tyre.

Më 28 qershor votoni 10-ën, 10-a jeni ju, 10-a janë shtëpitë tuaja, 10-a është legalizimi i tyre, 10-a janë pronat tuaja, janë pensionet tuaja, e ardhmja juaj evropiane.

Rrofshi ju!

Rroftë Tirana!

Rroftë Shqipëria!”


24/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›