Kryeministri Berisha takon Presidentin e Parlamentit Europian Jerzy Buzek
Presidenti i PE-së Buzek: E dimë që për Shqipërinë 2010-a është një vit shumë i rëndësishëm. Ju mund të arrini statusin e vendit kandidat dhe të jeni afër liberalizimit të vizave.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me Presidentin e Parlamentit Europian Jerzy Buzek. Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Buzek dhanë një konferencë për shtyp.
Presidenti PE-së Buzek: Faleminderit, zoti Kryeministër, që na vizituat në Bruksel, dhe veçanërisht PE-në. Ne ndihemi të përgjegjshëm për çdo gjë që po ndodh jashtë BE-së, veçanërisht me fqinjët tanë. Shqipëria është një vend fqinj, është fqinji ynë, me të cilin ne sapo e çuam një hap përpara marrëdhëniet tona, duke pasur një nënkomitet të veçantë për Shqipërinë, që fillon në 21 prill, të mërkurën, në Strasburg. Mendoj se ky është një lajm i mirë për marrëdhëniet ndërparlamentare midis Shqipërisë dhe PE-së.
Gjithashtu, shumë faleminderit që më ftuat për të vizituar Shqipërinë, për të cilën duhet gjetur koha e përshtatshme. Do të doja t’ju falënderoja me besim të thellë dhe shumë ndershmërisht që ishit i pranishëm dje, në orën 12, në PE, në ceremoninë speciale. Faleminderit për të gjitha fjalët e mbështetjes që më dhatë gjatë takimit tonë të para disa minutave.
E dimë që për Shqipërinë 2010-a është një vit shumë i rëndësishëm. Ju mund të arrini statusin e vendit kandidat dhe të jeni afër liberalizimit të vizave, që është shumë e rëndësishme për të gjithë njerëzit tuaj dhe Shqipërinë.
Ne folëm edhe për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, për zhvillimin e ekonomisë. Urime për çdo gjë që keni bërë në vitet e fundit.
Një tjetër çështje e rëndësishme, ishte mbështetja që forcat politike në Shqipëri duhet të japin për anëtarësim e vendit në BE. Do të doja t’ju inkurajoja edhe një herë juve, zoti Kryeministër dhe opinionin publik në Shqipëri, duke thënë se stabiliteti politik dhe bashkëpunimi midis koalicionit qeverisës dhe opozitës, në reforma kaq të mëdha dhe të vështira, si ato që keni përpara në Shqipëri, është shumë i rëndësishëm. Ne urojmë rezultatet më të mira, jo vetëm në reformat tuaja, por në shumë çështje, si në atë të medias, të administratës, por edhe në stabilitetin politik të vendit tuaj.
Gjithë të mirat për Shqipërinë.
Kryeministri Berisha: Së pari, do të doja t’ju falënderoja nga zemra zoti President, që gjetët kohën dhe më pritët në një moment shumë të vështirë për vendin tuaj, i cili është një vendi i madh europian. E shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur Presidentit, ngushëllimet e mia më të thella, për jetët e humbura në tragjedinë e tmerrshme të Smolenskut. E njihja personalisht Presidentin Kazinsky, stafin e tij, por, gjithashtu, shumë nga anëtarët e delegacionit të Polonisë, që humbën jetën e tyre në një detyrë shumë të nderuar, për të nderuar 20 mijë polakët që u masakruan në Katin. Por, gjithashtu, i shpreha admirimin e thellë Presidentit për mënyrën sesi vetë Presidenti dhe kombi i tij qëndruan përpara kësaj tragjedie, në mënyrën më të denjë dhe kanë fituar një admirim të thellë në të gjithë botën.
Zonja dhe zotërinj,
Pata një takim shume frutdhënës me Presidentin Buzek. Ishte një rast për t’i shprehur mirënjohjen time të thellë Parlamentit Europian për mbështetjen e fuqishme që ka i dhënë përpjekjeve të shqiptarisë, projektit të Shqipërisë për integrimin europian. Prej 20 vitesh, PE-ja ka qenë një tempull për shqiptarët dhe i ka ndihmuar ata ne të gjitha situatat e vështira, për t’u afruar më shumë me BE-në. E siguroj Presidentin se qeveria ime është e përkushtuar dhe e zotuar të ndërmarrë çdo reforma, të miratojë çdo ligj, të marrë çdo vendim që do të jetë i nevojshëm për një progres të mëtejshëm drejt integrimit europian.
E siguroj atë gjithashtu, se Kushtetuta e vendit tim është Kushtetuta e një vendi të lirë dhe siguron një kuadër të plotë ligjor për respektimin e plotë të shtetit ligjor, transparencës së plotë të çdo dokumenti që ekziston në vendin tim.
Kam kënaqësinë t’i përsëris ftesën për të vizituar vendin tim dhe Presidenti premtoi se do ta vizitojë atë.
(Ndërhyrja e zotit Buzek Kjo është zyrtare. Para gazetarëve është më zyrtare se të nënshkruash diçka.
Kryeministri Berisha: Unë dhe shqiptarët do të ishim shumë të gëzuar t’ju kishin në një vizitë zyrtare. Sërish faleminderit zoti President që më pritët.
Pyetje: Zoti President, Parlamenti Europian i ka qëndruar angazhimit për të bërë gjithçka të mundur për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Dimë nga deklaratat e fundit që vijnë nga Italia dhe Franca, të cilat thonë se BE duhet t’i përmbahet anës teknike, po nuk duhet të japë përshtypjen se vendet myslimane si Shqipëria dhe Bosnja nuk meritojnë të njëjtat shanse si tre vendet e tjera. A nuk do të ishte më mirë për BE-në përshpejtimi i procesit për të dy vendet?
Presidenti Buzek: Po, mendoj se është një pyetje e mirë. Nga njëra anë, Komisionit Europian iu dha një raport i mirë për Shqipërinë. Gjithashtu ne i dimë rezultatet e vizitës dy ditore në Bruksel të Kryeministri, që është një sukses, për të mos thënë një sukses i plotë, por është e nevojshme të dëgjojmë edhe të tjerët. Ajo që është e rëndësishme, siç e shpjegoi Kryeministri para pak minutash, kanë avancuar shumë në dixhitalizimin e procedurave administrative, kështu që është shumë më e lehtë të vazhdohet me liberalizimin e vizave, është më e thjeshtë të kontrollohen shumë gjëra. Kështu që unë mendoj se ne do të bëjmë gjithçka, veçanërisht në nënkomitetin tonë, pasi aty, mund të studiojmë dhe të hetojmë marrëdhëniet dypalëshe midis BE-së dhe Shqipërisë. Kjo është një nga arsyet për të pasur nënkomitete.
Pyetja: Ju thatë më parë se krijimi i nënkomiteteve është shprehje e vullnetit të mirë, por në fakt vendet e tjera të Ballkanit, me të cilat BE ka MSA, kanë komitete parlamentare të përbashkëta. Për herë të parë janë krijuar nënkomitete. Mund të më shpjegoni ju lutem, pse është vullnet i mirë krijimi i nënkomiteteve?
Presidenti Buzek: Mund t’jua shpjegoj shumë thjeshtë. Kemi nënkomitete speciale të veçanta për Kroacinë, sepse Kroacia është në negociata dhe ka mbyllur rreth 15 ose 17 kapituj, ndoshta gjysmën e tyre, që tani që është në fazën e negocimit. E kemi edhe me Maqedoninë, që është një vend kandidat dhe e kemi edhe për Shqipërinë. Për të gjithë vendet e tjera ne kemi një komitet të përbashkët për Ballkanin Perëndimor. Tani Shqipëria është në një status të ri dhe specifik, duke qenë më afër se të tjerët në marrëdhëniet me BE-në. Ju nuk keni ende status të plotë të vendit kandidat. Nga këndvështrimi i PE-së, pasja e një nënkomiteti ju vendos në pozicion specifik dhe më të mirë nga të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Kroacisë dhe Maqedonisë, pasi Kroacia dhe Maqedonia kanë statuse të tjera.
Kryeministri Berisha: Zoti President, shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj për këto nënkomitete. Ata kanë bëtë një vizitë shumë të suksesshme përpara disa ditësh në Shqipëri. Shkuan kudo dhe panë në vend implementimin e reformave për liberalizimin e vizave dhe deklaruan publikisht se Shqipëria ka plotësuar kriteret dhe standardet dhe se kontrolli i kufijve, përsa i përket teknologjisë, është i barabartë më atë të një vendi anëtar të BE-së. Unë mendoj se nënkomitetet janë mbështetje dhe privilegj i madh. Do të kemi mundësinë të fokusohemi më shumë në përpjekjet tona. Ju jam shumë mirënjohës.
15/04/2010