E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Rona Nishliun

Kryeministri, Sali Berisha priti sot në një takim të posaçëm këngëtaren Rona Nishliu dhe ekipin shqiptar, ku morën pjesë në Festivalin Evropian të këngës - Eurovizion 2012, në të cilën Shqipëria u rendit e 5-ta në natën finale
Kryeministri Berisha i shprehu Rona Nishliut urimet më të përzemërta për suksesin e shkëlqyer të saj në Eurovizion dhe e konsideroi atë si një sukses të shumëfishtë, duke theksuar këtu se ajo, me interpretimin dhe këngën e saj,  arriti të tërheqë fuqishëm vëmendjen e mediave ndërkombëtare, që në natën gjysmëfinale të festivalit.
Në finale, vijoi Kryeministri, ”ju ishit zëri absolut i festivalit, interpretimi më i shkëlqyer, ishit një përfaqësim shumë dinjitoz dhe arritje e madhe për gjithë shqiptarët, për Shqipërinë dhe për Kosovën”.  Edhe për sa i përket vlerësimit, Kryeministrishprehu kënaqësinëpër mbështetjen e madhe që pati nga të gjitha vendet.  Ai theksoi  se  përfaqësimi dinjitoz i Ronës në Eurovizion është dhurata më e bukur që kënga shqiptare i bën Shqipërisë në këtë 100 vjetor të pavarësisë.
 Nga ana e saj, këngëtarja Rona Nishliu  falënderoi  Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij në këtë përfaqësim të saj në Eurovizion. Ajo i përcolli Kryeministrit emocionet që kishte ndier tek shikonte flamurin shqiptar, gjatë renditjes së pikëve, që shfaqej në mesin e 5 flamujve më të votuar të Evropës.
Kryeministri Berisha i dhuroi këngëtares Rona Nishliu çelësin Sol, të punuar në filigram me një dedikim të vecantë në shenjë mirënjohjeje ndaj përfaqësimit dinjitoz që i bëri Shqipërisë në Eurovizion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›