Vajza e Timoshenkos apelon: Ukraina duhet të mirëpresë Euro 2012
Ukrainë- Eugenia Timoshenko, e bija e shefes së opozitës Julia Timoshenko tha për BBC se kampionati Euro 2012 i futbollit të mbahet në Ukrainë siç është planifikuar.
Eventi pritet të fillojë më 8 Qershor dhe do të organizohet sëbashku me Poloninë. Udhëheqësit evropianë kanë thënë se do të bojkotojnë ndeshjet e Ukrainës në shenjë proteste ndaj trajtimit të zonjës Timoshenko.
Vajza e saj tha se ajo e kuptoi bojkotin politik por shtoi se ngjarjet sportive duhet të ecin përpara sipas planeve. ‘Ne e kuptojmë bojkotin politik të udhëheqësve evropianë të cilët mbrojnë sundimin e ligjit, i cili respekton të drejtat e njeriut dhe që s’mund të shkojnë atje të shtrëngojnë duart me Yanukovych. Por unë mendoj se eventi sportiv duhet të mbahet…nëna ime kur ishte në pushtet luftoi që të organizohej kampionati në Ukrainë’- tha vajza e Timoshenkos.
Zonja Timoshenko ka luajtur një rol kyç në revolucionin pro perëndimor në vitin 2004 dhe thotë se burgosja e saj është një akt hakmarrjeje politike nga ana e presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych. Autoritet kanë hedhur poshtë akuzat e zonjës Timoshenko e cila u burgos me 7 vite burg në Tetor, për abuzim me pushtetin gjatë kohës që ka shërbyer si kryeministre.
Më 15 Maj apelimi i vendimit u shty më datën 26 Qershor e cila bie me afërsi në fund të kampionatit Euro 2012. ‘Unë vërtet besoj se situata do të zgjidhet përpara kampionatit. Është krejtësisht në fuqinë e presidentit për lirimin e të burgosurve politikë dhe t’i lejojë ato të marrin pjesë në zgjedhje këtë vit’- tha ajo. Eugenia theksoi se shtyrja e apelimit u bë për arsye politike, një kërkesë që ishte bërë nga avokatët e nënës së saj.
Dorina Bilbili/IDEA/