E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Shefin e Departamentit për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në KE, z. Dirk Lange

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Shefin e Departamentit për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, z. Dirk Lange.

Zoti Lange e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtyre viteve dhe shprehu vlerësimet e tij të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe ndryshimet impresionuese të Shqipërisë. Shqipëria, tha z. Lange, po ecën çdo ditë me hapat e duhur në rrugën e zhvillimit dhe integrimit europian.

Gjithashtu, zoti Lange theksoi se arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë vitit të kaluar, të cilat u vlerësuan nga raporti “Të bësh Biznes”, nga raporti i Transparency International, si dhe arritja e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, u evidentuan edhe nga raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë. Ai falënderoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin në hartimin e këtij raporti, si dhe shprehu vendosmërinë e KE-së për të vazhduar këtë bashkëpunimin dhe për të dhënë mbështetjen dhe përkrahjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE. 

Pasi i shprehu mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi z. Lange për bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe.

Kryeministri Berisha theksoi se puna e qeverisë është fokusuar tashmë në intensifikimin e përpjekjeve dhe reformave për të përshpejtuar plotësimin e të gjitha standardeve që kërkojnë hapat e mëtejshëm të integrimit europian të vendit. Në këtë vit elektoral, Kryeministri tha se objektivi kryesor i qeverisë është realizimi i zgjedhjeve konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë qëllim, tha ai, po përfundon ndërtimi i infrastrukturës më të mirë zgjedhore për sa i përket realizimit të Kartave të Identitetit dhe Kodit Zgjedhor.

Kryeministri vuri në dukje edhe progresin e bërë në zhvillimin ekonomik  të vendit, duke u ndalur në luftën e suksesshme kundër korrupsionit, në krijimin e një klime të favorshme për biznesin, lehtësimin e të gjitha procedurave për biznesin, vendosjen e taksës elektronike, prokurimet elektronike, regjistrimin on-line të bizneseve përmes “one stop shop”, etj.. Konsolidimi i këtyre procedurave dhe lufta kundër korrupsionit do jetë përparësi e qeverisë edhe në vitin e ardhshëm. Kryeministri u shpreh se zhvillimi ekonomik i vendit është në rrugën e duhur, duke theksuar se falë reformave të ndërmarra nga qeveria, ekonomia e vendit po ecën mbi baza të shëndosha.

Kryeministri Berisha i uroi suksese z. Lange në detyrën e tij të re që ai merr në Drejtorinë për negociatat për procesin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian.     


11/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›