E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Përfaqësuesen e re të Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenja Lvovski.

16 dhjetor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Përfaqësuesen e re të Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenja Lvovski.

Pasi i uroi zonjës Lvovski mirëseardhjen në vendin tonë dhe suksese në detyrën e saj të rëndësishme në krye të përfaqësisë së një institucioni mjaft të rëndësishëm financiar, Presidenti Topi vuri në dukje bashkëpunimin e frytshëm prej gati dy dekadash të shtetit shqiptar me Bankën Botërore në drejtime tepër të rëndësishme, kyçe për zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit, përmes politikave, strategjive dhe programeve në rang kombëtar, por edhe rajonal.

Kryetari i Shtetit vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Banka Botërore ka dhënë për reformimin e ekonomisë shqiptare, stabilitetin financiar, kualifikimin e eskpertëve, zhvillimin në fusha të ndryshme si bujqësia, industria ushqimore, etj. Gjatë bisedës, Presidenti shprehu interesimin e palës shqiptare për intensifikimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen përmes projekteve dhe nismave, të cilat u përgjigjen sfidave të reja me të cilat përballet Shqipëria sot siç është një plan kompleks dhe integral dhe me vepra inxhinierike për zhvillimin dhe mbrojtjen e ekosistemit të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna.

Nga ana e saj, Përfaqësuesja e re të Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenja Lvovski falënderoi Presidentin Topi për pritjen duke e uruar njëkohësisht edhe për arritjen e madhe historike të liberalizimit të vizave për qytetarët shiptarë me vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë takim, zonja Lvovski, pasi shprehu solidaritetin për situatën e vështirë të shkaktuar nga përmbytjet, vlerësoi transformimin e rëndësishëm që ka ndodhur në Shqipëri këto njëzet vitet e fundit, duke “i konsideruar arritjet e mëdha ekonomike dhe shoqërore të vendit tonë si një histori suksesi” dhe duke siguruar për vazhdimësinë e ndihmesës teknike dhe financiare dhe ofrimit të përvojës pozitive në vazhdën e bashkëpunimit të ngushtë të Shqipërisë me Bankën Botërore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›