E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemi Nje apo vellezer?

Sali Berisha duhet ta kete perfytyruar disa here ne Tirane pritjen qe do t'i rezervonin atij kosovaret ne viziten e pare si Kryeminister ne Kosoven e pavarur. E megjithese nuk ka patur dyshime ne entuziazmin e tyre, ai nuk ka mundur t'u shpetoje emocioneve per asnje cast te vetem, madje as loteve, qe kur zbriti ne Sllatine e deri dje pasdite kur mori rrugen e kthimit nga Morina. Kryeministri i Shqiperise dukej i prekur nga krejt atmosfera qe percolli viziten e tij ne Kosove, nga flamujt, himni kombetar, nga pritja ne Kuvendin e Kosoves, ceremonia ne Universitetin e Prishtines dhe qindra njerez qe e pershendesnin ne rruge. Shpeshhere fjalet e tij devijuan nga teksti i shkruar, zeri iu drodh nga emocionet, syte iu perloten dhe mesazhet i kumtoi thuajse i ekzaltuar. Kjo ishte ana njerezore e vizites dyditore te Sali Berishes ne Kosove. Politikisht, Kryeministri shqiptar pati te tjera veshtiresi. I ndodhur ne nje atmosfere te tille emocionuese, ai nuk e pati te lehte te sillej politikisht korrekt. Sali Berisha erdhi ne Prishtine i shoqeruar nga zhurma, e shumefishuar edhe abuzivisht, e nje interviste te dhene disa kohe me pare ne Klan Kosova, ku shpalli idene e tij se shqiptaret duhet te ndihen Nje ne te dyja anet e kufirit. Jo thjesht reagimi i Beogradit dhe i Moskes, por me shume sinjalet e ndonje zyre europiane, madje dhe zera ne Kosove, ishin sinjale per Berishen per te qene me i permbajtur ne kete vizite. I vetedijshem se ne nje situate te ndezur, per me teper gjate nje vizite zyrtare ne Prishtine, mesazhet e tij mund te provokonin tensionim te panevojshem per vete Kosoven, Sali Berisha u perpoq te ishte me i kujdesshem dhe me i moderuar. Ai nuk e perseriti frazen e famshme te perurimit te tunelit te Kalimashit, se nuk ka mal dhe pengese tjeter qe t'i ndaje shqiptaret. Ai nuk ua kumtoi politikaneve te Kosoves mesazhin se te gjithe duhet te punojne per bashkimin e kombit. I kapur ne ngerc, mes asaj qe do te deshironte te thoshte dhe asaj qe i duhej te thoshte, Berisha sajoi nje kumt evaziv, gati kontradiktor, qe ndoshta nuk ishte i nevojshem. Kryeministri shqiptar foli per dy vende te ndryshme qe do te duhet te bashkohen ne Europe. Ai perdori madje nje terminologji te vjetruar (dikur ne Shqiperi perdorej rendom per kinezet) per te thene se shqiptaret dhe kosovaret jane vellezer. E ndersa bente nje percaktim te tille, menjehere shtonte se shqiptaret jane nje komb, me nje shpirt dhe me nje identitet. Por, kontradiktor, perseri nxitonte te justifikohej se nuk jane vetem shqiptaret qe kane te drejte te ndihen te tille, por jane edhe serbet, edhe kroatet...

Nuk eshte e lehte te jesh ne pergjegjesine e nje burri shteti dhe te kontrollosh cdo fraze kundrejt emocioneve te forta. Sali Berisha kishte vetem nje mundesi per ta bere kete. Ai duhej te zhvishej nga roli i misionarit, nga figura e liderit te kombit qe jo vetem qytetaret e Kosoves, por edhe disa media ia falen me shumice. Ai, ashtu sic pati deklaruar me pare ne Shqiperi, do te duhej te vinte ne Kosove me idene e tij te qarte dhe te thjeshte te bashkimit te kombit. Jo te bashkimit si akt formal, emocional, epik e historik, por te bashkimit si akt pragmatik, ekonomik, si interes i te dyja paleve. Sali Berisha, si Kryeminister i Shqiperise, ka detyre ne radhe te pare sigurimin dhe rritjen e mireqenies per qytetaret shqiptare dhe nese projekti i tij i te qenit Nje me Kosoven, i unifikimit te taksave, doganave, lehtesive ne qarkullim, etj., i sherben kesaj mireqenie, ai duhet te punoje per te, pa patur kurrfare kompleksi. Kjo eshte me e lehte per t'u bere duke menduar si kryeminister dhe jo si lider i kombit. Sali Berisha nuk mund te percaktoje vellazerine (sepse edhe vellezerit jetojne te ndare), por t'i tregoje prioritetet qe projekti i tij i unifikimit, larg patetizmave, u ofron shqiptareve. Vetem ne kete menyre, ideja e tij per te qene Nje nuk ngarkohet me keqkuptime, nuk i krijon atij vete ngerc politik dhe i ben njerezit te gjykojne me arsye dhe jo me emocione. Nese shqiptaret ne Shqiperi dhe ne Kosove mendojne se kane me interes te jene te unifikuar ekonomikisht, kulturalisht, pse jo dhe politikisht, atehere lideret e tyre e kane detyrim t'i pergjigjen kesaj aspirate. Nese ata nuk shohin asnje te mire nga nje iniciative e tille, edhe politika duhet te jete realiste dhe t'i kyce ne sirtar diskurset e bashkimit. Nese bashkimi perdoret si retorike nacional- romantike dhe jo si projekt konkret qe mund t'iu interesoje dy paleve, atehere ai do te provokoje gjithnje ndjeshmeri negative. Gjate vizites ne Kosove, Sali Berisha e kishte mundesine ta ndante politikanin e arsyeshem nga lideri emocional. Ai mund te kishte shpalosur projektin e tij te unifikimit dhe te kerkonte qe dobia e tij per shqiptaret te shqyrtohej edhe nga homologu kosovar, Hashim Thaci. Kete mund ta kishte bere ne takimin me te, ndersa per vellazerine, shpirtin dhe identitetin, kishte sallen e Universitetit. Sigurisht, nuk eshte aq e thjeshte per t'i ndare si me thike gjerat e tilla, per me teper kur eshte fjala per Sali Berishen dhe Kosoven. Por, kjo ndarje do te duhej te bente dallimin mes politikanit modern dhe atij te shkuar. Ajo do te bente gjithashtu qe Sali Berisha te sillej e te fliste pa asnje lloj kompleksi per idete e tij, sa here te vinte ne Kosove.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›