Kryeministri Berisha takon në Washington gjeneralin Wesley Clark
Kryeministri Berisha zhvilloi në Washington një takim të veçantë me gjeneralin Wesley Clark. Në këtë takim të ngrohtë dhe tepër miqësor, Kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën e gjeneralit Clark për ndihmën e madhe dhe rolin që ai ka luajtur për dhënien fund të barbarisë së regjimit të Millosheviçit kundër të drejtave të njeriut në Kosovë. Falë edhe kontributit të zotit Clark, u shpreh Kryeministri Berisha, Kosova është sot një shtet i lirë dhe i pavarur.
Kryeministri Berisha e njohu gjeneralin Clark me reformat e ndërmarra nga qeveria për integrimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, reforma të cilat bënë të mundur që Shqipëria së shpejti të bëhet një anëtare e denjë e kësaj organizate. Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu zotin Clark me zhvillimet në vend, proceset integruese dhe veçanërisht me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjenerali Wesley Clark vlerësoi reformat e qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Berisha dhe shprehu bindjen për rrugën e sigurt të Shqipërisë në NATO.
...