E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha u takua sot me senatorin e njohur amerikan, Richard Lugar

Në vazhdim të vizitës së tij, në Uashington, Kryeministri Berisha shtroi një darkë për  nder të personaliteteve të politikës amerikane dhe të institucioneve të mendimit politik në Uashington dhe zyrtarëve të lartë të administratës amerikane,  në Newseum, një nga godinat më moderne, në shëtitoren Pensilvania dhe New Street. I ftuar nderi në këtë darkë ishte senatori Richard Lugar, një nga politikanët më me eksperiencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të proceseve integruese të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në tërësi. Të ftuar në darkë ishin, ndër të tjerë, zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, znj. Marci Ries, Ndihmës/asistenti i Sekretarit të Shtetit Steward Johnson, zyrtarë të lartë të Pentagonit, etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm ish-Kryeadministratori i OKB-së në Kosovë Soren Jesen Petersen dhe analistë të politikës amerikane nga institucionet më të njohura të mendimit politik në Uashington. Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha, pasi i  falënderoi zyrtarët e lartë për pjesëmarrjen, i njohu ata me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin në NATO. 

Ndër të tjera Kryeministri tha: “të nderuar shkëlqesi senatorë, të nderuar zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes, të nderuar analistë të politikës amerikane. Është një nder i madh sot për mua t’ju mirëpres dhe t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë darkë. Shqipëria tashmë ecën e sigurt në proceset e saj integruese, në reformat në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, me reformat e saj ekonomike., duke e ndryshuar faqen Shqipërisë dita ditës dhe rolin e saj në rajon dhe duke e shndërruar së shpejti në një anëtare të denjë të Aleancës së Atlantikut të Veriut".

Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e Senatorit Lugar, si një mbrojtës të madh të çështjes së integrimit të Shqipërisë në NATO dhe çështjes shqiptare në tërësi. 

Mes të tjerash, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e senatorit Lugar në programin e tij për shkatërrimin e armëve kimike, program i cili ka përzgjedhur Shqipërinë si një nga vendet më të suksesshme në aplikimin e tij. Gjithashtu Kryeministri u ndal tek integrimi i Shqipërisë në NATO, partneriteti me SHBA-në dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë së tij për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë pjesë gjithmonë e më shumë e iniciativave ndërkombëtare në luftën kundër terriorizmit për vendosjen e paqes në botë. 

I ftuari i nderit Richard Lugar falenderoi Kryeministrin për ftesën dhe për mundësinë që iu dha të diskutonte me miq dhe dashamirës të Shqipërisë në Uashington. Senatori Lugar e vlerësoi aplikimin e programit të tij “Nunn-Lugar” për shkatërrimin e armëve kimike dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në këtë program si të përkryer dhe vlerësoi reformat e qeverisë Berisha për integrimin e sigurtë të Shqipërisë në NATO.  Senatori Lugar vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra nga qeveria Berisha dhe siguroi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. 

Darka u zhvillua në një bashkëbisedim të lirë mes pjesëmarrësve ku u prekën tema të ndryshme si integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike, çështje të ndryshme të politikës rajonale dhe ndërkombëtare. Darka kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë dhe tepër miqësore. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›