Kryeministri Berisha takon senatorin John Isakson
Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me senatorin John Isakson. Kryeministri Berisha e falënderoi Senatorin Isakson për pritjen e ngrohtë dhe për gjithë përpjekjet dhe kontributin në dobi të çështjes shqiptare.
Më pas, Kryeministri Berisha e njohu z. Isakson me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit në NATO. Kryeministri bëri një përmbledhje të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe e njohu senatorin Isakson me reformat ekonomike dhe politike.
Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi se reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria bënë të mundur shndërrimin e imazhit të Shqipërisë në një vend tërheqës e të sigurtë për investitorët e huaj.
Nga ana e tij, senatori Isakson shprehu vlerësimet e tij pozitive për reformat në Shqipëri dhe vlerësoi vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më tej, senatori Isakson shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO në samitin e ardhshëm.
...