E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju sqaroj si po i zvogëlojmë shpenzimet tona buxhetore

Letër publike drejtuar kryetares së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Para disa ditësh, anëtari i grupit tuaj parlamentar, deputeti T.Balla, në një deklarim publik ( jo nga  foltorja e Parlamentit), tha që në Ambasadën Shqiptare në Athinë janë përvetësuar disa milionë euro nga buxheti i shtetit. Unë e konsideroj një akuzë publike të drejtpërdrejtë ndaj personit tim si titullari i përfaqësisë. Në detyrën time unë nuk jam politikan. Në raste të tilla thjesht mund ta merrja një akuzë politike të radhës. Unë përfaqësoj shtetin shqiptar, pra edhe juve, por duke qenë edhe plotësisht i ndërgjegjshëm se edhe ju, si deputetë, më shumë se kushdo tjetër, keni të drejtë të kërkoni llogari. Unë prita që MPJ të sqaronte të vërtetën, por justifikimi i tyre ishte shumë i mangët dhe sipërfaqësor. Në  të drejtën time, unë po ju sqaroj se si qëndron e vërteta e pakësimit të të ardhurave në sektorin konsullor të Ambasadës. 1.Në vitin e parë të punës time, 2006, bëheshin mesatarisht 200-250 aplikime për pasaporta, secila me 80 euro dhe ne rastet e perseritjes te pajisjes me pasaporte, para perfundimit te afatit, me shumen e 160 eurove, (penalitet financiar i parashikuar ligjerisht) ndërsa në vitin 2008 mesatarisht 1-2 aplikime të tilla.
Tarifat e legalizimeve nga 30 euro ne vitin 2005, u bene te gjitha me 20 euro gjate viteve ne vazhdim, me synimin e vetem te lehtesimit financiar te qytetareve shqiptare. (pavarësisht kostos qe kishte ne buxhetin e shtetit)
Gjate viteve 2003-2004 dhe gjysmës së parë të vitit 2005, shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi paguanin edhe për shërbimin e shtyrjes së pasaportës (bëhej shtyrje për 1 vit, deri në fund të 2005 nga autoriteti konsullor), shërbim që u hoq pasi ndërhyrja në pasaportat e reja bëhet vetëm nga autoriteti që i lëshon, pra nga komisariatet përkatëse në Shqipëri që janë në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Shqiptarët në emigracion janë shumë të interesuar të kenë dokumentet e udhëtimit për jashtë shtetit, ku kanë jetesën dhe punën edhe për shkak se të vjetrat dolën jashtë përdorimit. Ju e dini që pas dhjetorit të vitit 2005, askush nuk qarkullon më me pasaportat e tipit të vjetër pasi ky ka qënë afati i parashikuar nga ligji për zëvendësimin e dokumentave të udhëtimit për jashtë shtetit. Është logjike që qytetarët shqiptarë i morën masat që pas këtij afati të ishin të pajisur me dokumentet e reja dhe stabilizimi i tyre me pasaporta të reja me afat 10-vjeçar uli fluksin e të ardhurave ne buxhetin e shtetit. Nga ky  pakësim i punës dhe për të kursyer shtetin, me iniciativën time, në mesin e vitit 2007 u mbyll sektori i veçantë, për aplikimin për pasaporta, ku punonin katër persona (një konsull dhe tre specialistë) dhe në vitin 2008 nga 14 persona që punonin në sektorin konsullor të ambasadës, punuan vetëm katër. 2.Kur u paraqita në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit, në seancën dëgjimore, krahas mendimeve me shumë vlerë, që u shprehën  nga ju, në drejtim të  krijimit të rrethanave sa më lehtësuese për emigrantët, nga një ish ministër, m’u tha që të punoja për zgjatjen e lejeve të qëndrimit, që atë kohë  rinovoheshin çdo gjashtë muaj. Mendimi i tij ishte shumë i drejtë, se përveç mundimeve fizike, shqiptarëve u duhej të paguanin shumë në zyrën tonë konsullore dhe akoma më shumë në administratën burokratike greke. Nuk duhet harruar se shteti grek në vitin 2005 nxorri ligjin e legalizimit të emigrantëve të palegalizuar duke u dhënë mundësi që të provonin se deri në vitin 2004 ndodheshin në Greqi e më pas të pajiseshin me leje qëndrimi. Viti 2004 dhe 2005 ka patur një fluks shumë të madh të emigranteve në zyrat konsullore të Ambasadës shqiptare dhe konsullatat tona në Greqi, pasi përfaqësite tona diplomatike kishin të drejtë të jepnin vërtetime (tarifa ligjore ishte 30 euro për secilën) që këta persona ishin prezent në Greqi gjatë vitit 2004. Vërtetimet jepeshin mbi bazën e vulave për shtyrjen e pasaportave për të cilat ata mund të ishin paraqitur në zyrat konsullore të shtetit shqiptar dhe në këtë mënyrë tërthorazi provohej se ishin në Greqi gjatë vitit 2004. Në atë kohë, ne në opozitë pritëm që ju të merrnit masa për ata punonjës të korruptuar që abuzonin me detyrën, por nga ana juaj nuk u bë asnjë veprim. Prandaj ndoshta  ju nuk e kuptoni kur  ne nuk jemi tolerantë karshi atyre që shkelin ligjet dhe abuzojnë. Përpjekjet tona, emri i mirë i emigrantëve tanë dhe dëshira  e qeverisë greke, bënë që shumica e tyre tashmë te jenë paisur me leje qëndrimi 5-10 vjeçare, pra nuk u duhet të vinë  e të paguajnë çdo gjashtë muaj në zyrat tona konsullore. Nga takimi me Ministrin e Brendshëm, zotin Pavlopulos, u informova se qeveria greke ka në plan të bëjë të tjera përmirësime të tjera për emigrantët.
3.Pas zgjedhjeve lokale të shkurtit 2007, si pasojë e zhurmës që bëri politika shqiptare për  dyshimin për Certifikatat që lëshonin zyrat e gjendjeve tona civile, MPJ e Greqisë, në të drejtën që i jepte edhe marrëveshja konsullore e vitit 1993, e kaloi pranimin e çertifikatave shqiptare në konsullatat e saj ne Shqipëri. Ishin mesatarisht 200 veprime që bëheshin në ditë dhe secila me një tarifë prej 20 eurosh. Kete sherbim tashme e ben Ambasada greke ne Tirane dhe Konsullatat e saj ne Korçë e Gjirokaster dhe me tarifa me te larta se ato te shtetit shqiptar. Ju bëj të ditur që nga fillimi i vitit 2008 në zyrën konsullore të ambasadës nuk bëhet asnjë pagesë ne dore, veç paraqitjes të mandatit bankar, me vlerën e shërbimit. Pra përvetësim i pareve të buxhetit mund të bëhet vetëm duke vjedhur bankën. Kështu, nëqoftëse, do ishte dëshira për të thënë një të vërtetë për  nëpunësit e shtetit ( jo për politikanë) të gjitha këto të dhëna mund të merreshin të sakta në Drejtorinë e Financës të MPJ, e cila informohet cdo muaj për veprimet e  Ambasadës me bankën përkatëse.
Por ka edhe një argument mjaft logjik, nga ku duhet të niste akuza: A ka mundësi praktike, që për një veprim që kryhet në konsullatë dhe për të cilën qytetari paguan një tarifë që justifikohet nga vlera e pullës (pa pullë nuk ka vlerë dokumenti), kjo tarifë të futet në xhep nga konsulli apo titullari? Në ambasadën ku këto tre vjet jam titullar, ka patur korrupsion, që e gjeta, por edhe që e konstatova gjatë punës time. Korrupsioni bëhet duke u marrë emigrantëve veç tarifës shtetërore, që detyrimisht i kalon buxhetit, duke u bërë dokumente në kundërshtim me ligjin, siç është prokura pa prezencën e personit, etj. Ju jeni në dijeni (një anëtar i grupit tuaj M.Bello, ka bërë dikur një deklaratë në Parlament në mbrojtje të ambasadorit të vendit të tij, kur u godit në detyrë nga një diplomat që ambasadori e akuzoi dhe e denoncoi në Prokurori për falsifikim (fatkeqësisht ky diplomat është ende në MPJ). Ishte e vështirë të crrënjosej korrupsioni shumëvjeçar dhe duhet të dini që të gjitha largimet që u bënë nga kontrollet e auditimit të MPJ ose me propozimin dhe këmbënguljen time, për diplomatë ose personel teknik, kishin si arsye vetëm  abuzimin me detyrën (jo ata që u larguan për paksim të punës, apo që u rikthyen si diplomatë në MPJ).
Si një ish-kolegu tuaj, tani si përfaqësuesi juaj, por edhe si qytetar me përgjegjësi dhe detyrim moral karshi familjes dhe miqve, ju kërkoj që t’i referoheni fakteve dhe të vërtetave, që sigurisht nuk e keni vështirë t’i gjeni dhe në rast se ato nuk janë njësh me deklaratën e deputetit Balla, kërkoj që ai të bëjë sqarimet e duhura për opinionin publik.Në rast se konstatimet tuaja më fajësojnë, pranoj çdo pasojë morale, administrative dhe ligjore, që rrjedhin prej tyre. Nëqoftëse deputeti Balla nuk e gjykon të arsyeshme këtë veprim, duhet të më mirëkuptoni, përsëri jashtë politikës, unë ruaj të drejtën morale t’i drejtohem publikisht deputetit Balla dhe le të jetë opinioni i gjerë gjykuesi i të vërtetës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›