E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri nga të 303 abortet e politikës së re të Edvinit

Në vend të një fejtoni

Kryetari i PS-së, pasi u lodh fshatrave të Shqipërisë s’u mësuari fshatarëve si mbillet, si korret, si bëhet shirja më rentabël, si plehërohet, --- e të tjera e të tjera, - një natë, u ngrit befas nga gjumi dhe mendoi që kësaj veprimtarie t’i vinte një emër. Nuk po e gjente dot. Andej nga mëngjesi, iu dha që ta quante „Politikë të Re“.
I kënaqur nga kjo „gjetje“, vendosi të bënte pushim. Nuk do të vinte në Bashki, - pas nja tre muajve që s’ia kishte parë derën, - duke u marrë me këtë politikën e re, që po mundohej t’ua fuste fshatarëve në kokë, pavarësisht se ata nuk po e kuptonin si duhet atë mirëqenien përrallore që po u mëkonte predikatori, për begatinë e pamasë që do të gëzonin, kur Ai të bëhej shefi i madh i të gjithë Shqipërisë.
Kështu, me euforinë e Pieretës, që po shkonte nga fshati në qytet, me kaçilen e vezëve në kokë dhe po bënte disa hesape të lezetshme, se me të ardhurat nga vezët do të blinte zogj, që do të bëheshin pula; pulat do t’i shiste që të blinte një viç. Viçi do të bëhej lopë... e kështu me paret e shumta do të blinte një shtëpi të re. Nga qejfi e gëzimi u hodh përpjetë. Ra kaçilja, u thyen vezët e u zhdukën aty për aty zogjtë, pulat, viçat, lopët...shtëpia! – “Djall i madh ka qenë ai La Fonteni, - tha  me vete; - por unë nuk jam një copë fshatare, si Piereta. Di t’i bëj hesapet, UNË!
E kështu, si për të bindur veten se nuk ishin hesape si të një fshatareje ato të tijat, iu vu një llogarie tjetër: “Në sa kapituj mund të ndahet kjo politika IME e re?  Sepse gjithmonë e më tepër po më mbushet mendja se është një politikë e përmasave të pangjara në politikën shqiptare të gjertanishme. Jo më kot e kam shpallur pa dallime partiake, domethënë në emër të popullit shqiptar! Se për mua do të votojë edhe e majta, po se po; por edhe e djathta!”.
Me këto mendime të REJA u mor me kapitujt, të cilët ia harxhuan të gjithë kohën dhe erdhi mesi i natës së ditës tjetër kalendarike. Ishte i lodhur në këto refleksione që do të mbeteshin historike dhe harroi, sakaq, se i kishte dalë huq edhe vajtja në Bashki, të cilën po mendonte trishtueshëm se po e ndiqte si ata nxënësit e kohës së Enverit, që bënin shkollën e Partisë: me korrespondencë! – “Por, hë more, në të sëmës edhe një ditë, se s’u bë kiameti”!- tha, si në një monolog me vetveten. Veçse u mërzit edhe me ata kapitujt. Se, i prirur për origjinalitete, ndër këta kapituj hynin edhe: ai i gjeologjisë e i tërmeteve, sesi të mblidhte një grup shkencëtarësh, - mjaft më me ata fshatarë që s’kishin arritur të kuptonin thellësinë e mendimit të tij - dhe t’i vinte në punë të detyruar këta shkencëtarë (iu kujtuan të dielat e Enverit) dhe të bënin një projekt të mahnitshëm sesi të devijoheshin tërmetet prej vendit tonë, me anë të tufëzimit të disa miniprojekteve që i kishte grumbulluar në kokë! Pastaj edhe në shëndetësi, me anën e këtij tufëzimi projektesh, të mund të bëheshin transplantime që profesor Bernari i Kepit të Afrikës së Jugut nuk i kishte parë as në ëndërr: të transplantohej i gjithë truri i kafkës, gjë e cila do të sillte pacientë milionarë në klinikat tona, e do të na bënte të pasur: -“Mjaft më u sajuam atë shpikjen e listave të bukës gjatë tetëvjeçarit këtyre njerëzve tanë . Të marrin edhe ata disa thërrime nga lekët e këtyre fondeve të jashtëzakonshme nga transplantimet...”.
E, me kapituj të kësaj natyre që i sorollaste në mendjen e tij,  që e quante si një kompjuter më vete, vajti gjer te numri njëzet. Por iu duk si i vogël ky numër, për një Politikë të Re të MADHE; prandaj hoqi dorë nga kapitujt dhe filloi të merrej me shënime në letër, të cilën e quajti plan-konspekt (I pëlqeu ky emërtim i harruar). Vendosi t’i shënojë zërat me numra rendorë: 1. Fshatarët janë dembelë. Duhet t’i përvishen punës seriozisht. 2.    Ata nuk kanë pasur investimet e duhura nga Shteti. Shteti IM (i fitorjeve të ardhshme) do t’ua dyfishojë fondet (nga ato mikroskopiket, që kishte fshatarësia në  tetëvjeçarin e lavdishëm të qeverisjes socialiste!). 3. Zgjedhjet, pas vlerësimit si duhet të Politikës së Re, do të jenë demokratike, të qeta, bindëse, të pakontestueshme. Këto, do të kem rastin t’jua vërtetoj konkretisht kur të votohet në Bashki projektbuxheti IM. Do të shihni votime shembullore, të cilat do të jenë modeli i Politikës së Re édhe për zgjedhjet e përgjithshme. 
4, 5, 6, …….303.
“Janë të shumta shtyllat e shëndosha, ku mbështetet politika IME e re, sipas së cilës do të shihni suksese reale, jo të sajuara. Këto shtylla janë projekt më vete, të pakundërshtueshme. Sukseset e kësaj veprimtarie do t’i shikoni vetë, së shpejti”.
...Dhe erdhi, më së fundi, dita e miratimit të projektbuxhetit të  Bashkisë.
Projektbuxheti iu rrëzua dy herë, sepse këshilltarët e Bashkisë, nën hyqmin e tij, mbetën dy herë rresht në pakicë! Nuk e kishte parashikuar të kishte kundërvënie kaq të forta. I xhindosur nga pyetjet nga të cilat dilte prirja e Tij për përvetësime miliona eurosh, kërkoi të ndërpriteshin diskutimet, se i kishte shkuar huq mundi i trafikimit të votave përmes premtimit të  dhënies arbitrare të lejeve të ndërtimit. Shkurt: u mundua të blinte votat, me dhënie lejesh të këtilla. Megjithatë nuk e arriti dot kuorumin prej 28 votash, të nevojshme për miratimin e këtij projekti, që na doli se ishte i padetajuar, se fshiheshin afërsisht 16 milionë dollarë, një pjesë e madhe e të cilëve do të përdoreshin për zgjedhjet parlamentare (kurse pjesa tjetër, nga më të voglat militantëve deri te pjesa e luanit... dihet se për cilin!). Në këtë draft dilnin pagesa dyherësh për të njëjtin objekt. Caktoheshin fonde për shkolla të pakryera. 
Tani, duke e marrë çështjen më seriozisht, le të shohim një koment të shtypit tonë:”Kaosi ka nisur nga kreu i Bashkisë, Rama, i cili nuk ka lejuar drejtuesin e Këshillit Bashkiak, Dervishin, që të zhvillojë normalisht procesin e votimit, por i është imponuar atij, duke i numëruar vetë votat. Kreu i Bashkisë, gjatë votimit, ka manipuluar numrin e votave, duke e bërë këtë me ngritjen në këmbë të tij, ndërsa të gjithë këshilltarët ishin të ulur. Ndërsa pritej që numrin e votave ta bënte kreu i Këshillit Bashkiak apo Sekretari i këtij Këshilli, Rama në funksion të manipulimit të numrit të votave, ka shpallur se buxheti është votuar, pasi numri i votave kishte arritur 28, numri minimal i votave që kërkohen për miratimin e tij. Por një gjë e tillë nuk është konfirmuar as nga kryetari i Këshillit Bashkiak dhe as nga Sekretari i këtij Këshilli. Kjo ndërhyrje e paprecedent dhe skandaloze e kreut të Bashkisë në punët e Këshillit Bashkiak ka sjellë ilaritet të madh në sallë”.
Dervishi lexoi atë nen të rregullores ku shprehej qartësisht se votat nuk numëroheshin nga kryetari i Bashkisë. Ky, nuk lejoi që të bëhej edhe votimi i votuesve kundra, si edhe i abstenuesve. E kishte të qartë se një numërim i tillë do ta nxirrte totalin mbi 55, gjë që do të dëshmonte se 28 votat, që mëtoheshin si pro, ishin të shtuara!
Kryetari i Bashkisë na doli edhe manipulues votash, por edhe prestidigjitator!
(E sigurojmë lexuesin se fjala e fundit është e saktë nga ana drejtshkrimore, ndonëse zakonisht e shkruajnë prestigjiator).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›