Kryeministri Berisha takon përfaqësuesit e Klubit Sportiv “Milan”
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim të ngrohtë dhe miqësor me një përfaqësi të ekipit prestigjoz të futbollit italian “Milan”, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të një ndeshjeje futbolli miqësore me ekipin e futbollit të Tiranës dhe për disa aktivitete të tjera bamirësie.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij dhe të sportdashësve shqiptarë për këtë eveniment kaq prestigjoz dhe kaq të dobishëm. Kryeministri theksoi se ardhja e ekipit të Milanit është një festë e vërtetë për Shqipërinë, festë e cila ka gëzuar zemrat e çdo fëmije dhe të rrituri.
Gjithashtu, Kryeministri përgëzoi përfaqësuesit e Klubit Sportiv “Milan” për fisnikërinë që po tregojnë përmes këtij projekti, fondet e të cilit do të shkojnë për krijimin e disa bibliotekave dhe në ndihmë të të rinjve shqiptarë.
Gjatë takimit, përshëndeti dhe zëvendëspresidenti dhe Administrator i Përgjithshëm i Klubit Sportiv “Milan”, z. Adriano Galiani, i cili u shpreh se Ekipi i Milanit pranoi me shumë kënaqësi ftesën për të ardhur në Shqipëri, ndër ta, ylli i futbollit Shevçenko erdhi enkas nga Londra për këtë ndeshje. Gjithashtu, në radhët e përfaqësisë së Klubit Sportiv “Milan” merrnin pjesë edhe yjet legjendarë të futbollit Italian, Franco Baresi, Andrea Pirlo, etj.
Kryeministri Berisha u shpreh se organizimi i evenimenteve të tilla të nivelit të lartë sportiv janë instrumenti më i mirë për të forcuar miqësinë, dialogun dhe solidaritetin mes dy popujve.
Sportistët italianë falënderuan Kryeministrin Berisha dhe përmes tij, sportdashësit shqiptar, për mikpritjen dhe atmosferën entuziaste që ata gjetën në Shqipëri, që nga momenti i mbërritjes së tyre.
14/10/2008