Kryeministri Berisha takon shefin e misionit të FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell
Kryeministri Berisha priti sot shefin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë Gerwin Bell. Në takim ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë Ann Margret Westin.
Takimi u përqendrua në çështje që kanë të bëjnë me realizimin e buxhetit të vitit 2007 dhe planifikimin e buxhetit të vitit 2008, implementimin e reformës fiskale dhe masave në kuadër të saj dhe përmirësimin e administrimit të buxhetit.
Kryeministri Berisha falënderoi zotin Bell për ndihmën që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë në vazhdimësi vendit tonë dhe vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm mes këtij organizmi të rëndësishëm financiar ndërkombëtar dhe Shqipërisë.
Kryeministri theksoi disa nga masat e marra në kuadër të reformës fiskale, të stabilitetit makroekonomik të vendit dhe luftës kundër informalitetit. Kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë për implementimin tërësor të reformës fiskale edhe me hyrjen në fuqi në 1 janar të vitit 2008 të uljes së taksës korporative. Kryeministri u shpreh se kjo reformë, gjithashtu, ka për qëllim reduktimin e informalitetit në ekonomi. Lufta kundër informalitetit, - theksoi Kryeministri, - së bashku me masat e marra nga qeveria në kuadër të reformës fiskale do të garantojnë gjithashtu realizimin e të ardhurave të buxhetit sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave.