Kryeministri Berisha: Ligji për kufizimin e imunitetit krijon një frymë reale bashkëpunimi me opozitën

Në mbledhjen e grupit parlamentar Kryeministri Berisha vlerësoi rëndësinë e votimit në parlament, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita të ligjit për kufizimin e imunitetit . Kryeministri u shpreh se ky votim përbën një zhvillim pozitiv sa ligjor, aq edhe moral, në mënyrë që asnjë imunitar të mos ta përdorë pushtetin e tij për për të mbuluar abuzimet, shpërdorimet apo përvetësimet.
Duke siguruar se ky hap shpreh vendosmërinë për një frymë reale bashkëpunimi me opozitën, Kryeministri theksoi se vendimi në fjalë do të jetë një ndihmesë e madhe në kthjellimin e të gjithë përpjekjeve për një transparencë të plotë për të gjithë çështjet që shfaqen.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Së pari ju përshëndes dhe më lejoni të shpreh edhe njëherë vlerësimin tim të sinqertë për mundësinë që opozita shqiptare të votojë së bashku me ne ligjin për kufizimin e imunitetit. Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv sa ligjor aq edhe moral, konceptual edhe të gjithanshëm. Me këtë vendim, për kufizimin e imunitetit tonë, për të cilin dëshiroj dhe besoj të biem dakord për imunitarët në tërësi që askush të mos ta përdorë imunitetin për të mbuluar abuzimet, shpërdorimet dhe përvetësimet. Jam i bindur se ky amendim do të jetë një ndihmesë shumë e madhe në kthjellimin e te gjitha përpjekjeve për trasparencë të plotë dhe të madhe për të gjitha çështjet që dalin. Kështu që më mbetet vetëm ta përshëndes këtë hap pozitiv dhe të siguroj që ne jemi të vendosur për një frymë reale bashkëpunimi me opozitën.”