Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

“Më duhet të ndalem sot në një çështje që e konsideroj shumë të rëndësishme në shumë plane. Sërish dje, në Pezë u shfaq fantazma e Enver Hoxhës. Duke u ndalur këtu, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur për Pezën dhe vendimin që mori, për t’u bashkuar pa dallim feje, krahine dhe ideje kundër pushtuesit të vendit, për të gjithë ata që nderojnë Pezën, frymën dhe shpirtin e saj, por ne sot nuk mund të mos konstatojmë se apeli i Pezës për t’u bashkuar pa dallim feje u shoqërua më pas me ekzekutimin, burgosjen dhe internimin e qindra dhe qindra klerikëve shqiptarë dhe kjo vetëm e vetëm se besimin e parë të tyre kishin besimin tek Zoti. Kjo u shoqërua me arrestimin, burgosjen dhe internimin e mijëra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë, vetëm e vetëm se i luteshin Zotit. Kjo u shoqërua me eksperimentet më tragjikë të kohërave moderne, me përpjekjen për të krijuar me dorë të hekurt shtetin dhe kombin ateist, duke ndaluar me kushtetutë besimet fetare. U shkelmua në mënyrën më të pakonceptueshme mbi Pezën dhe mbi parimet e saj. Për të gjithë shqiptarët, në të gjithë botën, ai ka një emër dhe është Enver Hoxha.
Ndaj dhe Peza nuk mund të festojë kurrë pa dënuar veprën e tij mizore. Peza ishte bashkim pavarësisht nga idetë. Peza kërkonte të bashkoheshin njerëzit, duke respektuar idetë e njëri tjetrit. Por, pas Pezës, u shtyp me plumb dhe gjak do mendim i lirë i shqiptarëve, nga regjimi i drejtuar nga Enver Hoxha. Ai ishte xhelati i vërtetë i popullit shqiptar që burgosi, internoi dhe persekutoi me gjyqe apo pa gjyqe, për shkak të ideve, rreth një të katërtën e kombit. Ishte Enver Hoxha që votoi dhe u zotua për bashkim pavarësisht nga idetë, por që më pas krijoi sistemin më monist që Evropa ka njohur. Ai lau në gjak të gjithë ata që guxuan të shprehnin mendimin ndryshe. Pra, Peza është rasti për t’i dhënë atij dënimin më të merituar. Nëse ka një njeri që i vuri kazmën parimit të madh të bashkimit, pavarësisht nga idetë, ky ishte Enver Hoxha.
Liderët e Bashkimit Demokratik Europian, që në Konferencën e Parisit do ta cilësonin si Hitlerin e pasluftës, u përkisnin vetë lëvizjeve më të fuqishme antinaziste në Euvropë. Ata, të gjithë, e dinin që Enver Hoxha ishte një eksponent kryesor i Luftës Nacional Çlirimtare të shqiptarëve, por me atë që i bëri popullit të tij ai i tejkaloi mizoritë e të gjitha pushtimeve. Është e thjeshtë të nxjerrësh fantazmën nga varri, ta vendosësh në stenda apo të brohorasësh për të, por, të mos harrojmë se kjo lëndon dhe shkel mbi gjakun, mbi rininë, mbi jetën, mbi shekujt dhe mijëvjeçarët e burgjeve të qindra e mijëra shqiptarëve. Për shqiptarët që kanë një projekt, integrimin evropian, ai ishte izoluesi i tyre më i thellë në të gjithë kohërat.
Enver Hoxha ishte njeriu që montoi një nga aparatet më të fuqishme propagandistike që 24 orë në 24 shpifte, trillonte, mashtronte dhe fyente demokracitë e mëdha të botës, SHBA-të, Republikën Federale Gjermane, Izraelin apo vende të tjera. Kombi shqiptar nuk ka pasur armik më të egër të lirisë së tyre, sesa Enver Hoxhën. Kjo është e vërteta. Askush më shumë se ai nuk i ka zhytur shqiptarët në izolimin më të thellë dhe më të përçudnuar. Edhe Hitleri ka ndërtuar rrugë në Gjermani, por gjermanët për vite me radhë i kanë dënuar akte të tilla si ato që u bënë dje në Pezë.
Unë mendoj se ky është një problem aq sa formal në pamje, aq i thelle dhe tronditës. Do t’i sugjeroj parlamentit të ndërmarrë një rezolutë me të gjitha forcat politike, me të cilën të sanksionojë rolin e tij të turpit në historinë e këtij kombi. Nuk besoj që të ketë kundërshti, por fakti që diktatori ringjallet çdo 16 shtator, kur në fakt duhet të jetë dita e gjyqit ndaj tij, ju garantoj se po nuk u reagua, busti i tij mund të vendoset atje.
Ju bëj thirrje, zotërinj deputetë, se kjo nuk është një çështje dosido, por është çështje e qindra e mijëra shpirtrash njerëzorë, shekujsh dhe mijëvjeçarësh vite rinie, është shumë më e gjerë. Mendoj se është në detyrën e parlamentit që të vërë pikat mbi i për këtë çështje. Nuk mund të shpërdorohet liria për të poshtëruar sërish, për të lënduar dhe nëpërkëmbur ata, të cilët u martirizuan në regjimin e tij gjakatar, familjarët dhe njerëzit e tyre. Nuk ka më tragjike kur pretendon për një politikë të re dhe ndjell fantazmën e tij.
Ndaj dhe shpresoj se do t’i jepet përgjigjja e merituar me një rezolutë të përbashkët parlamentare. Jam shumë i bindur se në parlament do të ketë mirëkuptim për t’i treguar atij vendin që meriton. Nuk ecet drejt paqes sociale në këtë mënyrë, sepse janë të panumërt shqiptarët që nuk dinë ku i kanë varret e prindërve, vëllezërve, motrave të tyre, të dënuara nga regjimi. Kështu le të marrim këtë nismë shumë të rëndësishme, për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje shumë të rëndësishme që po ringjallet çdo vit.
* * *
Gjithashtu më lejoni të shpreh edhe njëherë vlerësimin tim të sinqertë për mundësinë që opozita shqiptare të votojë së bashku me ne ligjin për kufizimin e imunitetit. Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv, sa ligjor, aq edhe moral, konceptual dhe të gjithanshëm. Me këtë vendim, për kufizimin e imunitetit tonë, për të cilin dëshiroj dhe besoj të biem dakord për imunitarët në tërësi që askush të mos ta përdorë imunitetin për të mbuluar abuzimet, shpërdorimet dhe përvetësimet. Jam i bindur se ky amendim do të jetë një ndihmesë shumë e madhe në kthjellimin e te gjitha përpjekjeve për transparencë të plotë dhe të madhe për të gjitha çështjet që dalin. Kështu që më mbetet vetëm ta përshëndes këtë hap pozitiv dhe të siguroj që ne jemi të vendosur për një frymë reale bashkëpunimi me opozitën.”