Ministri Basha mori pjesë në punimet e Sesionit të 51-të të Konferencës së Përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike

Sot më 17 shtator 2007, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha mori pjesë në punimet e Sesionit të 51-të të Konferencës së Përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA), në Vjenë.
Ministri Basha, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Përgjithshme, vlerësoi rolin e ANEA’s në fushën e shëndetësisë dhe energjisë. Gjithashtu, Ministri Basha bëri thirrje për bashkëpunim me Agjensinë në fushën e sigurisë atomike në kuadër të parandalimit të përhapjes së armeve atomike. Ministri Basha vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe ANEA’s dhe kërkoi të vazhdohej mbështetja për asistencë teknike dhe programet e trajtimit kundër kancerit.
Në kuadrin e Konferencës mbi Lehtësimin e Hyrjes në Fuqi të Traktatit për Ndalimin e Plotë të Provave Bërthamore, z. Basha zhvilloi një takim me Sekretarin Ekzekutiv të Komisionit Përgatitor të Organizatës për Ndalimin e Plotë të Provave Bërthamore, z. Tibor Toth gjatë të cilit vlerësoi maksimalisht punën e CTBTO, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet që nuk e kanë ratifikuar ende këtë traktat.
Ministri i Jashtëm zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm të ANEA-s, Dr. Mohammed ElBaradei gjatë të cilit u vlerësua si shumë i rëndësishëm anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve, për herë të parë në historinë 50 vjeçare të anëtarësimit në ANEA, për periudhën shtator 2007-shtator 2009. Ministri Basha vuri në dukje ndihmën e dhëne nga Agjencia për vite me radhë, kryesisht në fushën e shëndetit, mjekësisë bërthamore dhe të radioterapisë.
Gjatë zhvillimit të punimeve Ministri Basha u prit nga Ministrja e Jashtme austriake Plasnik si dhe zhvilloi takime me homologë të tjerë. Ministrja e Jashtme Plasnik i konfirmoi Ministrit Basha vizitën e saj në Tiranë, në tetor.